Turistë po vijnë, por jo në të njëjtin ritëm si një vit më parë. Është ky rezultati i nxjerrë nga ecuria e të dhënave të Institutit të Statistikave për gjysmën e parë të vitit.
4.7 milionë të huaj e vizituan vendin tonë në këtë periudhë, ndërsa muaji qershor mbizotëron me 1.32 milionë turistë, një rritje prej 7.1% krahasuar me qershorin e vitit 2024.
Por, ndalur në ritmin e rritjes së numrit të turistëve, ai është më i ngadaltë se një vit më parë.

“Një vlerë prej 7% në rritje nuk perceptohet dhe shumë. Është e vërtetë që ka lëvizje, ka turistë, hotelet kanë prurje, por nëse flasim për pritshmëritë, duhet të ishim pak më shumë. Nëse flasim për realitetin apo korrektësinë me të gjithë aktorët, mund të themi që jemi në linjën e rritjes që duhet të ketë realisht një turizëm që pretendon të jetë i qëndrueshëm”, thotë eksperti i turizmit, Ferjolt Ozuni.
Ndalur sipas vendit të origjinës, janë turistët nga Europa që kryesojnë. Të dhënat tregojnë se 94% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Europës, ku rajoni jugor zë 70% të hyrjeve. Ndërsa, sa i takon qëllimit të udhëtimeve, në 98% të rasteve hyrjet janë realizuar për arsye personale, si pushime apo vizita tek të afërm, dhe më pak për arsye biznesi. Përveç hyrjeve, edhe daljet e shqiptarëve kanë shënuar rritje. Rreth 710 mijë shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë.

“E shohim në dy aspekte të rëndësishme. E para, mund ta shohim edhe si rritje të mirëqenies së shqiptarëve, të cilët po mundohen të eksperimentojnë në vende të tjera. Ose edhe ndoshta Shqipëria ka filluar të bëhet e shtrenjtë për shqiptarët, të cilët për të njëjtat fonde të shpenzuara orientohen në tregje të tjera”, shton Ozuni.
Pritshmëritë për turizmin 2025 janë për 14 milionë turistë, ndërsa në rritje të ndjeshme pritet të jenë edhe vizitat e shqiptarëve jashtë vendit.