Administrata Tatimore dhe Ministria e Bujqësisë po vijojnë me ritme të larta aksionin për formalizimin dhe rritjen e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Vetëm gjatë tre ditëve të para të kontrolleve, janë bllokuar 87 subjekte të cilat operonin në shkelje të ligjit, ndërsa janë sekuestruar rreth 20 ton mallra pa faturë, që qarkullonin në treg në mënyrë të paligjshme.

Zyrtarë nga të dy institucionet bëjnë me dije se rezultatet e deritanishme nxjerrin në pah domosdoshmërinë e formalizimit të plotë të këtij sektori, i cili mbetet një hallkë kyçe për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Autoritetet apelojnë për zbatimin e ligjit nga të gjithë aktorët e përfshirë në zinxhirin ushqimor nga prodhuesit, te përpunuesit dhe tregtarët duke theksuar rëndësinë e lëshimit të faturës tatimore në çdo hallkë të tij. Sipas tyre, kjo është mënyra e vetme për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë në treg.

Aksioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërkohë që strukturat inspektuese paralajmërojnë masa të ashpra ndaj çdo subjekti që operon në informalitet.