Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njoftoi nisjen e dy linjave të reja direkte të operuara nga Transavia: Nantes–Tiranë dhe Bordeaux–Tiranë. Këto linja sezonale forcojnë më tej partneritetin mes TIA-s dhe Transavia-s dhe hapin mundësi të reja për turizmin, si në drejtim të Shqipërisë, ashtu edhe sa i përket tregut francez.
Ceremonia e inaugurimit u zhvillua sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës me mbërritjen e fluturimit të parë nga Nantes, i cili përfaqësoi simbolikisht nisjen e të dy destinacioneve. Ceremonia vijoi me prerjen simbolike të shiritit të inaugurimit, në prani të përfaqësuesve të TIA-s dhe Transavia-s. Fluturimet drejt të dy destinacioneve do të jenë dy herë në javë, çdo të enjte dhe të diel, duke ofruar lidhje të drejtpërdrejta dhe të përshtatshme drejt dy qyteteve të rëndësishme dhe kulturore të Francës perëndimore. Këto destinacione zgjerojnë më tej fluturimet direkte të ofruara nga Transavia, që prej disa muajsh lidh Tiranën me Parisin, përmes aeroportit të Paris Orly.

Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, u shpreh:

“Nisja e fluturimeve drejt Nantes dhe Bordeaux nga Transavia është një zgjerim i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë dhe një tregues i qartë i interesit në rritje të tregut francez për Shqipërinë. Këto linja nuk i shërbejnë vetëm turizmit, por edhe shkëmbimeve ekonomike, kulturore dhe komunitetit shqiptar që jeton në Francë. TIA do të vazhdojë të mbështesë partnerët tanë ajrorë në zhvillimin e tregjeve të reja, ndërkohë që fokusohet në përmirësimin e përvojës së pasagjerëve.”
Zgjerimi i pranisë së Transavia-s në Tiranë përputhet me strategjinë më të gjerë të TIA-s për të rritur aksesin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe për të forcuar lidhjet rajonale. Në vitet e fundit, TIA është shndërruar në një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë. Sipas ACI Europe, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mban aktualisht rekordin për rritjen më të madhe të lidhjeve ajrore në rajon mes vendeve jo-anëtare të BE-së. Nëpërmjet partneriteteve strategjike me linjat ajrore dhe investimeve të vazhdueshme të ndërmarra vitet e fundit nga Grupi Kastrati, TIA vijon të zgjerojë rrjetin e destinacioneve dhe të përmirësojë përvojën e udhëtimit për të gjithë pasagjerët.