Një fond prej 87.8 milionë eurosh për investime në energjinë e rinovueshme është vënë në dispozicion të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë nga Bashkimi Europian, në kuadër të planit të rritjes në Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, fondet do të përdoren për të përmisuar sistemin e transmetimit të energjisë, digjitalizimin e nënstacioneve për rritjen e kapacitetit dhe uljen e humbjeve në rrjet. Po ashtu, nga këto financime do përmisohen edhe sistemet e HEC-it të Fierzës ndërsa investime do të ketë edhe në linjën ajrore Rrashbull- Unaza e Tiranës.
Në Mal të Zi, fondet do të përdoren për ndërtimin e linjës ajrore të Transmetimit Herceg Novi-Vilusi, instalimin e matësve inteligjentë dhe sistemit të përparuar të menaxhimit për përmisimin e efikasitetit të energjisë. Ndërsa në Serbi, për investime në HEC-in e Potpec dhe Termocentralin Diellor të Novi Sadit.
Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion të shteteve të Ballkanit Perëndimor 6 miliardë euro, në kuadër të planit të rritjes. Këto fonde përfshijnë investime dhe reforma për vendet e rajonit, si pjesë e axhendës reformuese për periudhën 2024-2027.
Shqipëria përfiton në total 922 milionë euro. Në 2026-ën vendi jonë pritet të marrë shumën më të lartë në kredi dhe grante, konkretisht 314 milionë euro, ndërsa në 2027-ën, 251 milionë euro.