Komisioni Evropian ka paralajmëruar Qeverinë e Gjeorgjisë për atë që e cilëson si “shkelje serioze të të drejtave dhe lirive themelore”, duke e vënë në dijeni se mosrespektimi i vazhdueshëm i rekomandimeve të Bashkimit Evropian mund të çojë në pezullimin e udhëtimit pa viza për qytetarët gjeorgjianë.

Në një letër drejtuar ministres së Jashtme, Maka Botchorishvili, drejtoresha e Përgjithshme për Migracionin dhe Punët e Brendshme, Beate Gminder, iu referua gjetjeve të Raportit të Shtatë për Mekanizmin e Pezullimit të Vizave, i miratuar nga Komisioni në dhjetor të vitit 2024. Raporti evidentoi shkelje nga ana e Gjeorgjisë, sidomos në lidhje me parimin e mosdiskriminimit dhe legjislacionin që bie ndesh me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Komisioni i bëri thirrje autoriteteve gjeorgjiane të shfuqizojnë Ligjin për “transparencën e ndikimit të huaj” dhe paketën legjislative për “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve”, si dhe të ndryshojnë strategjinë kombëtare për të drejtat e njeriut, për të garantuar plotësisht të drejtat e personave LGBTIQ. Rekomandime shtesë përfshijnë edhe ndryshimin e Ligjit për Byronë Kundër Korrupsionit për të garantuar pavarësinë efektive dhe neutralitetin politik të saj.
Për shkak të mungesës së veprimit nga ana e autoriteteve gjeorgjiane, BE-ja ka ndërmarrë tashmë hapa konkretë.

Në janar të vitit 2025, ajo pezulloi pjesërisht Marrëveshjen për Lehtësimin e Vizave dhe hoqi përjashtimin nga vizat për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit nga Gjeorgjia. Dymbëdhjetë shtete anëtare të BE-së tashmë kanë rikthyer kërkesat për viza për këto kategori, dhe pritet që të tjerat të ndjekin të njëjtën rrugë, sipas letrës.

Komisioni theksoi angazhimin e tij për të ruajtur marrëdhënie të forta dhe të bazuara në vlera me Gjeorgjinë, ndërsa i kërkoi qeverisë të raportojë për zbatimin e rekomandimeve deri në fund të muajit gusht.

“Besojmë se autoritetet gjeorgjiane do të përgjigjen në mënyrë konstruktive dhe do të ndërmarrin masat e nevojshme për të zbatuar plotësisht rekomandimet e Komisionit”, thuhet në letër, duke paralajmëruar se mospërmbushja e vazhdueshme mund të çojë në aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të vizave, sipas nenit 8 të Rregullores së rishikuar për Vizat.

Kryeministri i qeverisë së udhëhequr nga partia Ëndrra Gjeorgjiane, Irakli Kobakhidze, e ka cilësuar deklaratën e BE-së për mundësinë e anulimit të liberalizimit të vizave si “shantazh” dhe “kërcënim”.

“Shoqëria duhet të gjykojë vetë se cilat janë qëllimet e zyrtarëve të caktuar evropianë, përfshirë ata të lëvizjes kombëtare kolektive, të cilët duan të rikthejnë në pushtet njerëzit që ndërtuan regjimin e përgjakshëm… Në sytë e shoqërisë gjeorgjiane, besimi në burokracinë evropiane dhe, fatkeqësisht, edhe në vetë Bashkimin Evropian, është tronditur seriozisht.”

“Duhet bërë gjithçka për ta kthyer këtë proces. Për këtë, para së gjithash, disa zyrtarë të caktuar evropianë duhet të heqin dorë nga ideja se ata që ndërtuan regjimin e përgjakshëm në Gjeorgji duhet të rikthehen në pushtet”, deklaroi Kobakhidze.

Liderët e partisë Ëndrra Gjeorgjiane i lidhin kritikat e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të tij me të ashtuquajturin “deep state”, duke theksuar se “ashtu siç ka nevojë Gjeorgjia për Evropën, edhe Bashkimi Evropian ka po aq nevojë për Gjeorgjinë”.
Diskutimet për rishikimin e bazës së udhëtimit pa viza me Gjeorgjinë nisën në BE që në vitin 2023, ndërsa një pjesë e punës u përfundua në vitin 2024.

Për më tepër, tash e disa muaj, mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit nga Gjeorgjia kanë nevojë për vizë për të hyrë në disa shtete të BE-së. Gjeorgjisë iu mundësua udhëtimi pa viza më 28 mars 2017, si rezultat i përmbushjes së kushteve të Planit të Veprimit./REL