Ministrat e Bashkimit Evropian ranë dakord në takimin që patën këtë të hënë që të përqendrohen në negociata intensive me Shtetet e Bashkuara për të shmangur tarifat e reja prej 30% ndaj importeve Europiane, të cilat presidenti Amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do të hyjnë në fuqi në 1 gusht.
Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maros Sefcovic (Maros Sefkovic), paralajmëroi se një tarifë e tillë do të “shkatërronte tregtinë transatlantike” dhe do të kishte pasoja të mëdha për zinxhirët e furnizimit dhe ekonominë në të dy anët e Atlantikut. Ai shtoi se ndonëse kërcënimi ka krijuar një “dinamikë të re”, negociatat janë ende të hapura dhe mund të sjellin një rezultat të mirë për të dyja palët.
“Një tarifë 30% e bën pothuajse të pamundur të vazhdohet tregtia si më parë. Prandaj do të bëj gjithçka për të shmangur këtë skenar jashtëzakonisht negativ,” tha Sefcovic para takimit të ministrave të BE-së për çështjet tregtare. Edhe pse Trump ka dërguar një letër zyrtare për vendosjen e tarifave, BE ende beson se negociatat me SHBA-të mund të vazhdojnë. Megjithatë, Komisioni Evropian ka theksuar se BE-ja duhet të përgatitet për çdo skenar, përfshirë edhe kundërmasa ndaj Washingtonit.
Komisioni ka propozuar pezullimin e paketës së parë të tarifave të mundshme kundër mallrave amerikane në vlerë prej 21 miliardë eurosh, për të zbutur marrëdhëniet me Washingtonin.
Megjithatë mediat ndërkombëtare shkruajnë se Unioni 27 anëtaresh mund të përgatis edhe një paketë të dytë që do të godiste mallrat amerikane me vlerë prej 72 miliardë eurosh. Ministri i Jashtëm danez, deklaroi se është ende herët për kundërmasa, por BE duhet të jetë gati për çdo hap të nevojshëm.
“Nëse do paqe, duhet të përgatitesh për luftë. Dhe mendoj se kjo është situata ku ndodhemi,” u shpreh ai. Ndërkohë, Ministri francez për Tregtinë, kërkoi që BE të shkojë përtej propozimeve të Komisionit dhe të shqyrtojë goditjen edhe ndaj shërbimeve amerikane apo përdorimin e një instrumenti financiar që lejon BE-në të hakmerret kundër vendeve të treta që ushtrojnë presion ekonomik ndaj vendeve anëtare.