Granit Xhaka rrezikon të shohë ëndrrën e tij për t’u rikthyer në Premier League të shkatërrohet nga trajneri i ri i Bayer Leverkusen, Erik ten Hag.
Sipas mediave britanike, ish-trajneri i Manchester United e konsideron Xhakën si një lojtar “shumë të rëndësishëm” për ta lejuar të largohet, pavarësisht dëshirës së futbollistit për t’u bashkuar me Sunderlandin. Mesfushori 32-vjeçar, i cili më parë ka qenë kapiten i Arsenalit, kishte arritur marrëveshje personale me klubin anglez për një kontratë trevjeçare, ndërsa Leverkusen do të përfitonte mbi 10 milionë paund nga shitja.
Sunderland e kishte planifikuar Xhakën si përforcimin e shtatë të merkatos së verës, por situata ka ndryshuar pas qëndrimit të prerë të ten Hag. Trajneri holandez ka humbur tashmë disa emra të rëndësishëm nga skuadra si Florian Wirtz, Jeremie Frimpong dhe Jonathan Tah, dhe nuk dëshiron të lejojë edhe largimin e Xhakës, i cili vlerësohet për eksperiencën dhe lidershipin e tij.
Pavarësisht insistimit të Xhakës për të kompletuar rikthimin në Angli, drejtuesit e Leverkusen kanë mbyllur derën për një transferim të mundshëm, të paktën për momentin. Situata mbetet e tensionuar dhe në pritje të zhvillimeve të reja.