Rusia, Irani dhe Kina qëndrojnë pas një numri në rritje të veprimeve të rrezikshme që vënë në rrezik jetë njerëzish, përfshirë sulme dhe rrëmbime, kanë deklaruar sot dy zyrtarë të lartë të policisë britanike.
Në shumë raste, këto operacione kryhen nga persona të rekrutuar në krimin e organizuar, madje, sipas autoriteteve, janë përfshirë edhe të mitur.

Autoritetet britanike kanë ngritur vazhdimisht alarmin për veprimtaritë armiqësore të këtyre tre shteteve brenda territorit të Britanisë së Madhe, që variojnë nga spiunazhi dhe sabotimi, deri te përpjekjet për vrasje. Moska, Pekini dhe Teherani kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar si politike dhe të pabazuara.

Sipas Dominic Murphy, kreu i Shërbimit Antiterror në Londër, aktivitetet e shteteve armiqësore janë pesëfishuar që prej helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal në Salisbury më 2017 – ngjarje për të cilën Londra fajëson shërbimet sekrete ruse.

“Po shohim gjithnjë e më shumë që Rusia, Irani dhe Kina ndërmarrin veprime keqdashëse që rrezikojnë jetën e qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar,” tha Murphy para gazetarëve.

Sipas Vicki Evans, koordinatore kombëtare për antiterrorizëm, shumica e këtyre operacioneve kryhen përmes “agjentëve të palëve të treta” – shpesh kriminelë që marrin pagesa të vogla për të zbatuar urdhra të qeverive të huaja. Ndër ta përfshihen edhe persona vulnerabël, por edhe fëmijë rreth moshës 10 vjeç.

“Ajo që na shqetëson është se këta fëmijë mund të bien në kontakt me persona të rrezikshëm online, të manipulohen për të kryer veprime pa kuptuar se çfarë po bëjnë,” theksoi Evans, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për raste me motivim ideologjik.

Këtë muaj, tre burra u dënuan për sulm zjarrvënës ndaj bizneseve ukrainase në Londër – një akt që sipas policisë ishte urdhëruar nga grupi mercenar rus Wagner. Më herët, drejtuesi i grupit kishte pranuar planet për rrëmbimin e një kundërshtari të presidentit rus Vladimir Putin.

Po ashtu, shërbimi britanik i kundërzbulimit MI5 deklaroi se që nga janari 2022 janë zbuluar të paktën 20 komplotë të mbështetura nga Irani, me qëllim rrëmbimin ose vrasjen e shtetasve britanikë apo personave me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që regjimi iranian i konsideron kërcënim.

“Ata vazhdojnë të përpiqen të nxisin dhunë në rrugët e Britanisë, shpesh përmes kriminelëve të rekrutuar si agjentë të tyre,” përfundoi Murphy.