Gazetari Carlo Bollino ka fituar në Itali edicionin e XIV të Çmimit Kombëtar të Gazetarisë për Karrierën “Antonio Maglio”. Çmimi për shkrimin më të mirë investigativ është fituar nga Francesco G. Gioffredi për reportazhin “Taranto, qyteti i fateve të pezulluara sërish në udhëkryqin mes mosbesimit dhe shpresës”, botuar në Nuovo Quotidiano di Puglia, më 24 maj 2025.
Dy çmimet e dyta janë ndarë për Elisa Venco për hetimin mbi fuqinë dhe rolin e konsumatorëve “Dhe unë nuk të blej!”, botuar në revistën Focus të muajit qershor 2025, dhe për Maria Cristina Fraddosio për artikullin “Gjashtë mijë projekte të djegura nga një firmë. Udhëtim mes rrënojave të bashkëpunimit ndërkombëtar”, botuar në versionin online të HuffPost Italia, më 7 prill 2025.
Çmimi për Karrierën iu dha gazetarit Carlo Bollino, me origjinë nga Lecce. Carlo Bollino e nisi karrierën e tij shumë i ri, fillimisht në radiot private dhe më pas në median e shkruar, ku u përqendrua menjëherë në kronikën e zezë dhe krimin e organizuar, duke raportuar, ndër të tjera, për lindjen e organizatës kriminale Sacra Corona Unita në Puglia. U punësua nga e përditshmja Quotidiano di Lecce dhe u bë gazetar profesionist në vitin 1986. Në vitin 1988 shkroi librin investigativ “La posta in gioco” (Basti i madh) kushtuar vrasjes së këshilltares bashkiake të Nardòs, Renata Fonte, nga i cili u realizua edhe një film. Në vitin 1989 u transferua në Bari si i dërguar i gazetës Gazzetta del Mezzogiorno. Mbuloi krizën në Somali, Rumani, luftën në ish-Jugosllavi, luftën në Irak dhe rënien e komunizmit në Shqipëri. Bashkëpunoi me RAI-n në disa programe si “Telefono Giallo”, “Chi l’ha visto” dhe “Porta a Porta”. Në vitin 1992 u vendos në Tiranë ku themeloi për llogari të Gazzetta del Mezzogiorno të përditshmen Gazeta Shqiptare, portalin Balkanweb, radion Rash dhe News24, televizioni i parë informativ në Shqipëri. Në vitin 1999 u bë korrespondent i agjencisë Ansa për Shqipërinë dhe mbuloi, ndër të tjera, luftërat në Kosovë dhe Maqedoni. U përfshi në grupin e posaçëm të dërguarve në ndjekje të luftës të Ansa-s dhe mbuloi gjithashtu konfliktet në Izrael, Gaza dhe Irak.
Në vitin 2007 u bë shef i zyrës së korrespondencës së Ansa-s në Izrael dhe në maj të vitit 2008 drejtor i Gazzetta del Mezzogiorno. Në vitin 2012 dha dorëheqjen dhe u rikthye në Shqipëri ku themeloi Report Tv dhe Shqiptarja.com, sot ndër mediat më të njohura dhe prestigjioze në vend. Në Shqipëri ka shkruar dhe botuar librat “Heshtja e dyfishtë” dhe “Në tunelet e Shqipërisë së fshehtë”. Midis viteve 2014 dhe 2016 themeloi në Tiranë muzetë “Bunk’Art 1” dhe “Bunk’Art 2”, të ndërtuar në bunkerë bërthamorë të periudhës së Luftës së Ftohtë dhe të dedikuar 45 viteve të komunizmit në vend. Të dy muzeumet, për të cilat është ende kurator i përgjithshëm, konsiderohen ndër atraksionet më të rëndësishme turistike të Shqipërisë.
Në vitin 2009, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, i dorëzon Carlo Bollino “Medaljen e Mirënjohjes”, një dekoratë në shenjë vlerësimi “për kontributin e dhënë në krijimin dhe zhvillimin e mediave në Shqipëri, si një faktor i rëndësishëm për zhvillimin dhe përparimin e demokracisë”.
Çmimi Special iu dha Salvatore Bellone për artikullin “Kulturë, det, fe dhe magji. Taranto: shumë më tepër se çelik”, botuar në Gazzetta del Mezzogiorno më 11 dhjetor 2024, dhe Anna Paola Lacatena për hetimin “Gra, drogë dhe burg: tavani prej kristali dhe shufrat prej hekuri”, botuar në faqen online të Limes më 16 dhjetor 2024.
Në këtë nismë, të promovuar nga Shoqata “Maglio” dhe Bashkia e Alezios, me mbështetjen e Urdhrit të Gazetarëve dhe të Federatës Kombëtare të Shtypit, bashkëpunojnë edhe Rotary Club Lecce Sud, Quarta Caffè, Kantina Coppola e Gallipolit, Konsorciumi i Vajit të Ullirit Ekstra të Virgjër me Origjinë të Kontrolluar të Tokës së Otrantos, kompania Foresta Forte, agroturizmi Santa Chiara i Alezios dhe revista online ilGrandeSalento.it.
Të gjashtë gazetarëve fitues, presidentja e Rotary Club Lecce Sud, Donata Anna Perrone, do t’u dorëzojë një stilolaps me vlerë, simbol historik i punës së gazetarisë dhe protagonistëve të saj që, edhe me mjetet më moderne të komunikimit, janë të thirrur, dje si sot, të garantojnë një informacion cilësor, të lirë dhe pluralist. Stilolapsi (i firmosur nga dizenjatori dhe argjendari me famë ndërkombëtare, Gerardo Sacco) është zbukuruar me një gdhendje origjinale të portretit të Paul Harris-it, themeluesit në vitin 1905 të Rotary-t si një shoqatë shërbimi e përkushtuar për të bërë shoqërinë më të drejtë dhe solidare në çdo cep të botës.