Pas katër dekadash lufte të armatosur kundër shtetit turk, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit e shpallur organizatë terroriste nga Turqia, SHBA, BE dhe Britania e Madhe, mbajti këtë të premte një ceremoni simbolike për të shënuar fillimin e çarmatosjes së saj.
Ceremonia u zhvillua në qytetin e Sulejmanijas në Kurdistanin irakian, ku një grup i vogël prej 30 anëtarësh të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dorëzuan armët para se të riktheheshin në bazat e tyre.
Procesi I kësaj të premteje u zhvillua nën masa të forta sigurie dhe pritet të zgjasë gjatë gjithë verës. Ai do të monitorohet nga përfaqësues të partisë pro-kurde Dem në Turqi, si dhe nga media turke. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan e përshëndeti këtë hap si “heqjen dhe flakjen e prangave të përgjakshme që i ishin vënë këmbëve të vendit tonë”.
Ky është hapi më serioz deri tani drejt përfundimit të një konflikti që ka lënë të paktën 40 mijë të vrarë që nga viti 1984. Çarmatosja e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit pritet të ketë ndikim të gjerë jo vetëm në Turqi, por edhe në Irak, Siri e Iran. Në një video të publikuar së fundmi, lideri i burgosur i PKK-së, Abdullah Öcalan, e cilësoi këtë si një “kalim vullnetar nga faza e luftës së armatosur në fazën e politikës demokratike dhe ligjore”. Öcalan ndodhet në izolim të plotë në burgun e ishullit Imrali që nga viti 1999. Kjo nuk është përpjekja e parë për paqe mes Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe shtetit turk. Në vitin 2013 Öcalan shpalli një armëpushim dhe kërkoi tërheqjen e forcave të Partisë së Punëtorëve nga Turqia. Marrëveshja e vitit 2015 dështoi pas rikthimit të dhunës, veçanërisht në qytetet me shumicë kurde si Diyarbakır. Pas kësaj, Turqia nisi sulme ajrore dhe operacione tokësore kundër bazave të PKK-së në veri të Irakut dhe kundër forcave kurde në Siri.
Për vite me radhë, qeveria turke ka refuzuar të kthehet në tryezën e bisedimeve pa një çarmatim të plotë të Partisë së Punonjësve të Kurdistanit, diçka që tashmë po realizohet.
Iniciativa aktuale nisi në tetor 2024, kur udhëheqësi nacionalist Devlet Bahçeli, aleat i Erdoganit, bëri thirrje për një Turqi pa terrorizëm dhe i kërkoi Öcalanit të shpallte shpërbërjen e organizatës. Qeveria turke hapi bisedime përmes partisë Dem, e cila në shkurt solli një letër historike nga Öcalan ku ai i bënte thirrje PKK-së të dorëzonte armët dhe të shpërbëhej.
E ardhmja e Öcalanit mbetet e paqartë. Qeveria turke ka thënë se kushtet e tij mund të rishikohen në vijim të procesit, por një vendim për lirimin e tij do të merret në fazat e fundit.