Për më shumë se dy orë, fshati piktoresk i Thethit është kthyer në epiqendër protestash. Banorët vendas, të mbështetur edhe nga turistë të huaj, kanë bllokuar urën hyrëse të fshatit në shenjë kundërshtimi ndaj aksionit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Mjedisit, që ka nisur shembjen e disa bujtinave dhe kabinave të ngritura pa leje.
Protesta, e cila ka nisur që herët në mëngjes, është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike mes pronarëve të bizneseve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit. Pamjet nga vendngjarja tregojnë momente të vështira, ndërsa protestuesit i kanë qëndruar bindjes se aksioni është i padrejtë dhe po zhvillohet në një kohë të papërshtatshme – në kulmin e sezonit turistik.
“Kjo është masakër në mes të verës,” shprehet një nga banorët për kamerat. “Kemi ndërtuar në tokën tonë, me materiale ekologjike, jo beton. Kemi kërkuar leje, na thanë pritni. Tani na i prishin të gjitha.”
Në protestë nuk munguan edhe emocione të forta. Një banor shpërtheu në lot para kamerave, duke treguar se kishte investuar të gjitha kursimet e jetës dhe ishte zhytur në borxhe për të ndërtuar një bujtinë modeste. “Na ka mbetur veç të vdesim,” tha ai, me zërin që i dridhej.
Be fas, në krah të banorëve janë rreshtuar edhe turistët. “Na keni pritur me zemër. Kjo luginë është e juaja, dhe duhet të mbetet e juaja,” deklaroi një turiste e huaj që iu bashkua protestës. Të shumtë janë pushuesit që, në vend të qetësisë, janë përballur me kaos dhe shembje në mes të natyrës së Thethit.
Në terren ishte e pranishme edhe deputetja e Partisë Demokratike, Gerta Bardeli, e cila debatoi ashpër me Policinë, duke kërkuar që protesta të mos pengohej. “Banorët janë në tokën e tyre dhe kanë të drejtën kushtetuese për të protestuar,” tha ajo.
Përplasja vjen në kuadër të një aksioni të paralajmëruar nga qeveria, i cili parashikon prishjen e 40 objekteve të ngritura pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit. Banorët thonë se janë të gatshëm për dialog, por kërkesat e tyre nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet lokale dhe qendrore.