Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kompania Coca-Cola ka rënë dakord të përdorë sheqer kallami natyral në vend të shurupit të misrit në pijet e saj të shitura në Shtetet e Bashkuara.

“Kam biseduar me përfaqësuesit e Coca-Cola për përdorimin e sheqerit të vërtetë nga kallami në Coca-Cola që shitet në SHBA, dhe ata kanë rënë dakord,” shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social. “Dua të falënderoj të gjithë ata në drejtuesit e Coca-Cola.” Ai e cilësoi këtë si një vendim “shumë të mirë” dhe shtoi: “Do ta shihni. Është thjesht më e mirë!”

Aktualisht, Coca-Cola që shitet në SHBA është zakonisht e ëmbëlsuar me shurup fruktoze misri, një përbërës që ka shkaktuar debat për ndikimin e tij në shëndet. Robert F. Kennedy Jr., Sekretari i Shëndetësisë në administratën e Trump dhe një kritik i hershëm i përbërësve të përpunuar, ka ngritur shqetësime për efektet e mundshme të këtij ëmbëlsuesi në shëndetin publik.

Pavarësisht deklaratës së Trump, Coca-Cola nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ndryshimin e recetës. Në një deklaratë të shkurtër, një zëdhënës i kompanisë tha: “E vlerësojmë entuziazmin e Presidentit Trump” dhe shtoi se “së shpejti do të ndajmë më shumë detaje mbi produktet e reja dhe inovative brenda gamës sonë të Coca-Cola”.

Ndërkohë, sheqeri kallami përdoret në variantet e Coca-Cola në vende të tjera si Meksika, Britania e Madhe dhe Australia, ndërsa versioni amerikan mbetet kryesisht me shurup misri.

Në muajin prill, CEO i Coca-Cola, James Quincey, deklaroi para investitorëve se kompania “po vazhdon të bëjë përparim në reduktimin e sasisë së sheqerit në pijet tona”, duke theksuar ndryshimet në receta dhe strategjitë e marketingut global.

Megjithatë, kjo lëvizje mund të mos pritet mirë nga fermerët amerikanë të misrit. Presidenti i Shoqatës së Rafinerëve të Misrit, John Bode, paralajmëroi se zëvendësimi i shurupit të misrit me sheqer kallami “do të sillte humbjen e mijëra vendeve të punës në industrinë amerikane ushqimore, do të ulte të ardhurat e fermerëve dhe do të rriste importet e sheqerit të huaj, pa asnjë përfitim ushqyes.”

Kjo çështje është pjesë e një nisme më të gjerë të quajtur “Make America Healthy Again”, e mbështetur nga Sekretari Kennedy, e cila synon eliminimin e përbërësve të kontestuar si shurupi i misrit, vajrat bimore të rafinuara dhe ngjyruesit artificialë nga produktet ushqimore në SHBA. Kennedy ka kritikuar gjithashtu konsumin e lartë të sheqerit në vend dhe raportohet se këtë verë do të propozojë udhëzime të reja dietike në nivel kombëtar.

Ndërkohë, vetë Trump njihet për konsumimin e rregullt të Diet Coke, e cila përdor ëmbëlsues artificial aspartame. Ai kishte madje një buton të posaçëm në tavolinën e tij në Shtëpinë e Bardhë për t’i shërbyer menjëherë pijen e preferuar.