Bayern Munich ka shtuar emrin e Luis Diaz në listën e lojtarëve që po shqyrton për të përforcuar krahun e majtë të sulmit, raportoi Sky Sport Germany.
Kampionët e Bundesligës janë në kërkim të zëvendësimeve pas largimit të Leroy Sané dhe pasigurisë që rrethon të ardhmen e Kingsley Coman në Allianz Arena.
Diaz ishte një nga lojtarët kyç të Liverpool gjatë sezonit të kaluar nën drejtimin e Arne Slot, por e ardhmja e tij në Anfield është bërë e paqartë. Kontrata e tij me klubin anglez skadon në vitin 2027, por bisedimet për rinovim kanë ngecur, dhe Liverpool është i hapur për shitje nëse vjen një ofertë e mirë.
Në një deklaratë për FCF Media në muajin mars, sulmuesi kolumbian pranoi se është në bisedime me klube të tjera: “Po flasim me klube të tjera. Është diçka normale në një merkato transferimesh. Po shqyrtojmë opsionet më të mira për mua dhe familjen time. Nëse më ofrohet një rinovim i mirë, ose nëse qëndroj në Liverpool edhe dy vite të tjera, do të jem i lumtur. Tani gjithçka varet prej tyre.”
Interesi i Bayern Munich për Diaz është ende në fazat fillestare, por mund të intensifikohet pas dështimit për të siguruar shërbimet e Jamie Bynoe-Gittens, si dhe për shkak se objektivi kryesor, Nico Williams, duket se është shumë pranë kalimit te Barcelona.
Megjithatë, Bayern nuk është i vetmi klub i interesuar për shërbimet e sulmuesit kolumbian. Barcelona gjithashtu po ndjek nga afër situatën, por vështirësitë financiare të katalanasve mund t’i përjashtojnë nga gara për një marrëveshje të shtrenjtë.
Ndërkohë, Al-Nassr nga Arabia Saudite është gati të bëjë një ofertë të fuqishme për Diaz, duke vlerësuar transferimin e mundshëm në rreth 80 milionë euro.
Bayern ka prioritet të përforcojë repartin ofensiv, sidomos në krahun e majtë, dhe Luis Diaz shihet si një profil i përshtatshëm për stilin e lojës që kërkon trajneri Vincent Kompany. Por gjithçka do të varet nga vendimi i Liverpoolit, dëshira e vetë lojtarit dhe forca financiare e klubeve të interesuara.