Besimtarët bektashinj, kanë kremtuar këtë të martë (8 korrik) ditën e Ashures, në ceremoninë e mbajtur në kryegjyshatën botërore. Sipas kalendarit të bektashinjve, kjo ditë kremtohet pas 10 ditëve të zisë ose Matemit për Imam Hysenin dhe 72 dëshmorët që dhanë jetën për liri në luftën e Qerbelasë, për demokratizimin e jetës dhe emancipimin e shoqërisë.

Kryegjyshi i Bektashinjve, Baba Mondi, në fjalën e tij u është drejtuar pjesëmarrësve në ceremoni me një thirrje, duke kërkuar që të bëhen vepra të mira dhe gjithmonë të ndihmohen të tjerët, sidomos në kohërat e vështira që bota jonë po jeton. Ai bëri thirrje që të lutemi që njerëzimi të gjejë paqe, të ecë drejt zhvillimit dhe demokracisë dhe të marrin fund luftërat dhe konflikte.

“Pas 10 ditësh Agjërim në nder të 72 martirëve të rënë në muret e Qerbelasë. Ditë e veçantë për të gjithë bektashinjtë. Profeti na tregon se Muharremi është një muaj i shenjtë e për pasojë mëkati peshon më shumë dhe e mira vlerësohet më shumë. Dita e zezë e përkujtimit të Qerbelasë ndodh sot për të na kujtuar se përpjekjet për liri e demokraci janë detyrë edhe sot, e jona dhe udhëheqësve që drejtojnë botën.

Lutemi që njerëzimi të gjejë paqe, të ecë drejt zhvillimit dhe demokracisë dhe të marrin fund luftërat dhe konfliktet. Sytë tona duhet të drejtohen drejt lutjes për Zotin. Të lutesh me frikën nga ndëshkimi, është adhurim i skllavit, të lutesh duke falënderuar bekimet, është adhurim i personave superiorë dhe të lirë. Kur adhuron për veprimet e tyre çnjerëzore, tregon se janë në udhëheqjen e djallit”, tha Baba Mondi.