Karkaleca egjiptianë u gjet midis bagazheve të një udhëtari që po mbërrinte në Aeroportin Metropolitan të Detroitit, duke shkaktuar një alarm në Zyrën e Doganës. Incidenti me karkalecat ndodhi në mars, por mediat amerikane kanë zbuluar detaje të tjera së fundmi.
Ekspertët e bujqësisë të CBP-së që punonin në Detroit Metro gjetën karkalecin e gjallë egjiptian (Anacridium aegyptium) në bagazhin e një udhëtari nga Shqipëria.
“Karkalecat ekzotikë paraqesin një kërcënim serioz për bujqësinë amerikane për shkak se ushqehen me një shumëllojshmëri bimësh, duke përfshirë të korra si hardhitë e rrushit, pemët agrume, pemët e pemishteve gjetherënëse dhe perimet,”- thuhet në raport.
Specialistët e bujqësisë të CBP-së punojnë për të parandaluar futjen e specieve të dëmshme ekzotike, sëmundjeve dhe bioterrorizmit të mundshëm bujqësor. Por kjo nuk është hera e parë që specialistët e bujqësisë kanë gjetur insekte të padëshiruara në bagazhe. CBP ka lëshuar më parë raporte për raste që përfshijnë një karkalec jo vendas që fshihej në bagazhin e një pasagjeri që mbërriti nga Kenia, i gjetur në vitin 2024, dhe gjashtë kërmij gjigantë afrikanë të gjetur në valixhen e një udhëtari që mbërriti nga Gana në vitin 2023.
“Shumica e importuesve dhe pasagjerëve i sjellin pa dashje këto kërcënime në Shtetet e Bashkuara. Fatkeqësisht, disa individë me qëllime të këqija merren me agro-terrorizëm. Agro-terrorizmi synon posaçërisht një komponent të bujqësisë ose furnizimit ushqimor,”-thuhet në deklaratën e agjencisë.