Kievi po digjej ndërsa Dr. Borys Todurov përshkonte qytetin me një ambulancë, i patrazuar nga zhurmat e forta të shpërthimeve dhe tingujt e frikshëm të dronëve rusë që fluturonin mbi kokë.
Ai ishte i vendosur të dorëzonte ngarkesën e tij më të çmuar: një zemër njerëzore.
Pacienti i Todurovit – një fëmijë – ishte në gjendje të rëndë në spital. Ai kishte vetëm pak orë në dispozicion për të vepruar.
Fëmija kishte jetuar për vite me një sëmundje të rëndë të zemrës, por gjendja u përkeqësua në fillim të kësaj jave, dhe Todurov e dinte se një zemër e re ishte shpresa e vetme për mbijetesë.
Prandaj, kur një zemër u bë e disponueshme nga një donator fëmijë në anën tjetër të qytetit, ai nuk priti që rusët të ndalonin sulmet.
Rusia ka shtuar sulmet e saj ajrore kundër Ukrainës në javët e fundit. Gjatë natës së të enjtes, u lëshuan mbi 400 dronë dhe 18 raketa – përfshirë tetë raketa balistike dhe gjashtë raketa kruiz.
Ndërsa autoritetet ukrainase u bënin thirrje qytetarëve të strehoheshin në bodrume apo strehimore, Todurov dhe stafi i tij bënë udhëtimin 16 kilometra nga Spitali i Fëmijëve Okhmatdyt në perëndim të Kievit deri te Instituti i Zemrës në bregun lindor të lumit Dnieper, nën një qiell të mbushur me raketa dhe dronë.
Megjithëse Forcat Ajrore të Ukrainës arritën të rrëzonin ose çaktivizonin shumicën dërrmuese të tyre, dy persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmi.
“Zemra po punon”
Sulmi masiv i së enjtes ndaj Kievit ishte vetëm i fundit në një seri sulmesh vdekjeprurëse nga Rusia. Vetëm një ditë më parë, Moska kishte lëshuar mbi 700 dronë – një rekord i ri – brenda një nate të vetme.
Todurov, drejtori i Institutit të Zemrës dhe ekipi i tij punuan pa ndërprerje për dy netë radhazi.
Pas një operacioni në zemër të kryer në institut të mërkurën, ai udhëtoi drejt Okhmatdyt për të hequr zemrën nga trupi i donatores. Më pas, ai shoqëroi personalisht organin nëpër qytet.
Kalimi i lumit Dnieper përmes urave është jashtëzakonisht i rrezikshëm gjatë sulmeve ajrore, sepse automjetet janë të ekspozuara dhe mbrojtja ajrore ukrainase synon të shkatërrojë raketat dhe dronët mbi ujë, për të reduktuar rrezikun e mbetjeve që bien në zonat e banuara.
Një video e regjistruar gjatë udhëtimit dramatik tregon një zjarr të madh që digjet pranë rrugës, ndërsa Todurov vazhdon të ngasë makinën. “Ne po mbajmë një zemër,” thotë ai me qetësi. Sulmi rus ndaj kryeqytetit ende po vazhdonte kur Todurov hyri në sallën e operacionit në Institutin e Zemrës, ku udhëhoqi një ekip të madh mjekësor për të transplantuar zemrën në trupin e pacientes.
Në një moment prekës, të kapur nga kamerat dhe të publikuar nga CNN, zemra e re shihet duke rrahur brenda gjoksit të vajzës, vetëm disa orë pasi ishte transportuar nëpër një qytet nën bombardim.
“Zemra po punon dhe presioni është i qëndrueshëm. Shpresojmë që pacientja të shërohet dhe të jetojë një jetë të gjatë dhe të plotë,” tha mjeku.
Qendra Ukrainase e Koordinimit të Transplanteve njoftoi se donatorja ishte një vajzë katërvjeçare, e cila u shpall e vdekur nga truri pas dëmtimeve të rënda. Nëna e saj, e cila është vetë punonjëse shëndetësore, pranoi që organet e vajzës të dhuroheshin.
Në të njëjtën kohë që Todurov transplantonte zemrën në Institutin e Zemrës, veshkat e vajzës po transplantoheshin te një djalë 14-vjeçar dhe mëlçia te një vajzë 16-vjeçare, që të dy të shtruar në spitalin Okhmatdyt – pa pasur nevojë për transport të mëtejshëm.
Qendra e koordinimit tha se dy nga tre marrësit ishin në gjendje kritike dhe pa transplant, do të kishin vetëm pak ditë apo javë për të jetuar.
“Dhuruesja e vogël u prehtë në paqe. Ngushëllimet tona për familjen e saj dhe mirënjohja jonë për vendimin e tyre të vështirë, por jetik,” thuhet në deklaratën e qendrës.