Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur dëshirën për përfundimin sa më të shpejtë të luftës në Ukrainë, duke deklaruar se “nuk mban anën e askujt” në konflikt dhe se synon të ndalojë gjakderdhjen.

Në një intervistë për BBC, Trump theksoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “nuk duhet të synojë Moskën”, duke iu referuar raportimeve të mëparshme se ai i kishte bërë një pyetje të tillë gjatë një bisede telefonike me liderin ukrainas.

Po ashtu, ai shprehu zhgënjim ndaj presidentit rus Vladimir Putin, por theksoi se nuk e ka ndërprerë komunikimin me të. “Jam i zhgënjyer nga ai, por nuk kam mbaruar ende me të,” tha Trump.

Deklaratat e tij vijnë pas raportimeve të Financial Times, ku thuhej se presidenti amerikan, në biseda joformale, i kishte sugjeruar Zelenskyt të godasë më thellë brenda territorit rus nëse Uashingtoni i dërgon Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi – përfshirë edhe një pyetje nëse do të ishte i mundur një sulm ndaj Moskës.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka mohuar më herët se Trump ka nxitur dhunë apo përshkallëzim gjatë bisedës me Zelenskyn më 4 korrik, duke theksuar se ai “po punon për paqe dhe për t’i dhënë fund luftës”.