Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paraqitur një kërkesë zyrtare në gjykatën e Miamit, ku i bën thirrje gjykatës që të urdhërojë dëshminë e biznesmenit të njohur Rupert Murdoch brenda 15 ditëve, në kuadër të një padie për shpifje ndaj gazetës Wall Street Journal.

Çështja ka të bëjë me një artikull të publikuar më 17 korrik, në të cilin pretendohet se emri i Trump ndodhej në një letër urimi për ditëlindjen e Jeffrey Epstein, në vitin 2003. Trump e ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke e quajtur letrën të rreme dhe duke akuzuar Wall Street Journal se ka shpërndarë informacion të pavërtetë me qëllim dëmtimin e imazhit të tij publik.

Sipas ekipit ligjor të Trump, para publikimit të shkrimit, ai kishte njoftuar personalisht Murdoch se letra ishte falsifikim, dhe se ky i fundit kishte dhënë garanci se do të ndërhynte për ta ndalur botimin. Për avokatët, kjo tregon një përfshirje të drejtpërdrejtë të Murdoch në rast dhe sipas tyre, konfirmon një “qëllim të qëllimshëm keqdashës” nga ana e botuesve.

Ndërkohë, kompania Dow Jones, e cila është pronare e Wall Street Journal, ka bërë të ditur se e mbështet plotësisht raportimin e gazetës dhe do të mbrojë pozicionin e saj në gjykatë.

Me këtë veprim, Trump synon të përshpejtojë procesin ligjor, duke kërkuar që Murdoch të dëshmojë brenda dy javëve, në një çështje që ka marrë jehonë të gjerë në mediat amerikane.