“Skenari më i keq i urisë po ndodh aktualisht në Rripin e Gazës”, tha autoriteti kryesor ndërkombëtar për kriza ushqimore më 29 korrik, duke parashikuar “vdekje të shumta” nëse nuk merren masa të menjëhershme.
Ky paralajmërim, që ende nuk përbën shpallje zyrtare të urisë, vjen pas reagimeve të shumta pas publikimit të imazheve të fëmijëve të kequshqyer dhe raportimeve për dhjetëra vdekje të lidhura me urinë pas gati 22 muajsh luftë.
Presioni ndërkombëtar e shtyu Izraelin që gjatë fundjavës të shpallë disa masa, përfshirë ndalesa të përditshme në luftime për shkaqe humanitare në disa pjesë të Gazës dhe hedhjen nga ajri të pakove me ndihma. Megjithatë, Kombet e Bashkuara dhe palestinezët në Gazë thonë se situata ka ndryshuar pak, teksa turmat e dëshpëruara të palestinezëve vazhdojnë të dynden drejt kamionëve me ndihma para se ato të arrijnë në destinacionet e parapara.
Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC) paralajmëroi se Gaza që dy vjet është buzë urisë, por zhvillimet e fundit kanë “përshkallëzuar në mënyrë dramatike” situatën.
Shpallja zyrtare e urisë, që është e rrallë, kërkon të dhëna që nuk mund të merren në Gazë për shkak të pengimit të qasjes në këtë territor.