Shtëllungat e mëdha të tymit vazhdojnë të dalin nga landfilli I mbetjeve në Elbasan.
Prej më shumë se 24 orë, landfilli u përfshi nga flakët, ndërsa pavarësisht numrit të lartë të efektivëve e forcave zjarrfikëse, zjarri nuk është vënë nën kontroll.
Në luftë me flakët janë mbi 60 punonjës zjarrfikëse dhe 20 mjete të tonazhit të rëndë, por temperaturat e larta dhe era e fortë vështirëson punën e tyre.
Shefi i Emergjencave Civile në Elbasan në një deklaratë për mediat tha se ende nuk kemi të dhëna mbi nivelin e ndotjes nga djegia e mbetjeve të ngurta. Për banorët e fshatit Bradashesh kjo situatë e përsëritur me zjarrin i ka shqetësuar tej mase.
Prokuroria e Elbasanit thotë se janë udhëzuar uniformat blu të Komisariatit të Policisë për kryerjen e veprimeve të para hetimore në lidhje me shkaqet e zjarrit.
Inceneratori I Elbasanit prej 3 vitesh nuk funksionon dhe fusha e grumbullit të mbetjeve është përfshirë vazhdimisht nga zjarri.