Një javë pasi një zjarr i madh përfshiu landfillin e Elbasanit, vendi i ngjarjes është shuar thuajse tërësisht, por gjurmët që la pas janë të thella në mjedis, në ajër dhe në ndërgjegjen publike. Ndërkohë që zyrtarë të lartë të qeverisë kanë vizituar vendin për të monitoruar situatën, banorët e qytetit dhe ekspertët ngrejnë pyetje të rëndësishme, si nisi zjarri? A mund të ishte shmangur? Dhe mbi të gjitha a do të ndodhë sërish?
Një zjarr që ndez më shumë se mbeturinat
Zjarri shpërtheu javën e kaluar në zonën e landfillit të Elbasanit, një vendgrumbullim që prej vitesh përballet me problematika të menaxhimit. Flakët zgjatën për disa ditë dhe kërkuan ndërhyrje masive nga zjarrfikësit, ushtria dhe grupet e emergjencës. Edhe pse aktualisht nuk ka më flakë aktive, autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën për të shmangur riaktivizimin e vatrës.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm dy ministra ai i Mbrojtjes dhe ai i Brendshëm të cilët kanë theksuar rëndësinë e reagimit institucional dhe koordinimit përballë emergjencave të tilla. Por vizita të tilla kanë ngritur edhe pyetje për mungesën e masave parandaluese, pasi ky nuk është rasti i parë që landfilli përfshihet nga zjarret.
Shkaqe të mundshme dhe dyshime që kërkojnë përgjigje
Zyrtarisht, pista kryesore që po shqyrtohet është ajo e vetëndezjes, një fenomen i zakonshëm në landfillët me përqendrim të lartë të mbetjeve organike dhe gazrave si metani. Temperatura e lartë dhe kushtet e papërshtatshme për depozitimin e mbetjeve mund të shkaktojnë reaksione kimike që çojnë në ndezje spontane.
Megjithatë, burime nga policia dhe prokuroria konfirmojnë se është hapur një hetim penal për të verifikuar mundësinë e zjarrvënies së qëllimshme. Dosja përfshin hetime për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe përfshin si objekt shqyrtimi kompaninë “ECO-ELB” dhe partnerin e saj “Ergi shpk”, të cilat janë të kontraktuara për menaxhimin e landfillit.
Pyetja që lind është, a janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar ngjarje të tilla? A ka pasur kontrolle të rregullta mbi aktivitetin e subjektit privat që operon në këtë landfill? Dhe çfarë roli luajnë institucionet përgjegjëse lokale në mbikëqyrjen e këtij procesi?
Alarm për ndotjen, çfarë thonë matjet?
Ekspertët e mjedisit nga Co-PLAN dhe Milieukontakt kanë kryer monitorime në terren vetëm pak orë pas shpërthimit të zjarrit. Sipas tyre, përqendrimet e gazrave ndotës ishin dukshëm mbi normat e lejuara nga BE. Niveli i dioksidit të karbonit (CO₂) varionte nga 521 në 794 ppm, ndërsa përqendrimi i metanit ishte 3–4 herë më i lartë se norma mesatare.
Përveç ndikimit afatshkurtër, specialistët paralajmërojnë për pasoja afatgjata në cilësinë e ajrit dhe shëndetin publik. Disa banorë të zonës raportuan shqetësime si djegie në sy, vështirësi në frymëmarrje dhe erë të rëndë, që mbeti e pranishme për ditë të tëra.
Në këtë kontekst, lind nevoja për një hetim të thelluar mjedisor: si ndikohet cilësia e ajrit pas çdo incidenti të tillë? A po merren mostra të rregullta për të vlerësuar rrezikun në komunitet? Dhe kush mban përgjegjësi për dëmshpërblimin e mundshëm nëse provohen dëmet mbi shëndetin?
Ligji shqiptar për mbrojtjen e mjedisit dhe Kodi Penal parashikojnë dënime të qarta për ndotjen e ajrit dhe shpërdorimin e detyrës. Konkretisht, neni 201 dhe neni 150 i Kodit Penal sanksionojnë veprimet që sjellin pasoja mbi shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin, duke përfshirë ndotjen, shkatërrimin me zjarr dhe mosveprimin institucional.
Aktualisht, prokuroria e Elbasanit ka në dorë një dosje penale, ku po shqyrtohet nëse ka pasur neglizhencë apo keqmenaxhim nga ana e operatorëve të landfillit. Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur nëse hetimet do të shtrihen edhe në strukturat e bashkisë, që ka përgjegjësi direkte në mbikëqyrjen dhe zbatimin e kontratës me subjektin privat.
A do të çojnë këto hetime në identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve? Apo, siç ka ndodhur në raste të mëparshme, gjithçka do të mbyllet me një raport teknik dhe heshtje institucionale?
Një cikël që përsëritet dhe pyetjet që duhen bërë
Zjarret në landfillin e Elbasanit nuk janë një ngjarje e izoluar. Raste të ngjashme janë raportuar në vitet e fundit, shpesh në periudha të verës, duke ngritur dyshime për një problem të përsëritur sistemik. Në vitin 2023, një tjetër zjarr përfshiu të njëjtën zonë, dhe hetimet për atë rast ende nuk kanë sjellë një përfundim të qartë.
A ka nevojë për një ristrukturim të mënyrës se si menaxhohen mbetjet urbane në Elbasan? A është funksional modeli i bashkëpunimit publik-privat në këtë sektor? Dhe çfarë roli luan transparenca në kontratat publike që lidhen me menaxhimin e mbetjeve?
Në mungesë të përgjigjeve të qarta, është e vështirë të shmanget përshtypja se flakët e landfillit janë vetëm maja e një problemi më të thellë një sistem i brishtë, që nuk garanton siguri mjedisore, transparencë në veprim, as llogaridhënie për qytetarët.
Nëse ky zjarr ishte një aksident, atëherë është detyra e institucioneve ta shpjegojnë dhe të marrin masa për të mos u përsëritur. Por nëse nuk ishte aksident, atëherë jemi përballë një çështjeje që kërkon më shumë se kaq kërkon përgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, kërkon që për herë të parë, tymi të mos shërbejë për të fshehur të vërtetën./Lexo.al