Rrjeta e hedhur nga autoritetet gjermane të drejtësisë, për gjetjen e pasurive të një 44-vjeçari shqiptar të akuzuar për trafik droge, ka kapur një vilë dhe një mjet luksoz “Lamborgini” Aventador në bregdetin e Palasës në Shqipëri.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vënë nën sekuestro dy pasuri të Visar Miftarit, pas dyshimeve se janë krijuar në burime kriminale.
Gjuetia e pasurive të 44 vjeçarit me shtetësi gjermane në Shqipëri nisi në mars të këtij viti, pas një kërkesë nga autoritetet gjermane të drejtësisë.
Në kohën e dërgimit të kërkesës Visar Miftari, ndodhej i ndaluar në një institucion korrektues në Frankfurt. Ai dyshohej nga shteti gjerman për tregtim të kokainës dhe kanabisit në sasi jo të vogla, si anëtar i një bande, veprimtari e kryer gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas vendimit për sekuestro të gjykatës gjermane të Darmstadt, 44-vjeçari dyshohej se kishte përfituar nga tregtimi i drogës të paktën 11.2 milionë euro.
Hetimi i SPAK në Shqipëri zbuloi se në vitin 2022, i dyshuari kishte blerë një vilë në vlerën e 260 mijë eurove në një rezidencë luksoze në Palasë.
Shuma e parave për blerjen e vilës dy katëshe, me sipërfaqe të katit të parë 72 m2 dhe një sipërfaqe parcele prej 362 m2, ka kaluar përmes një transferte bankare nga Gjermania në Shqipëri.