Zyra e Rregullatorit për Energji nuk terhiqet.
Ajo ka bërë të ditur se më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.

ZRRE-ja sqaroi se afati 60-ditor i furnizimit të përkohshëm do të përfundojë më 30 korrik.
Oda Ekonomike e Kosoves e quan kete vendim te dhunshem. Sipas saj, kjo zyre, duke mos pasur institucionet, po i detyron bizneset që të dalin në tregun e lirë apo edhe të lidhin kontrata jashtë vullnetit të tyre.

Odës Ekonomike e Kosovës përsëriti kërkesën që procesi i liberalizimit të tregut të energjisë të pezullohet deri më 1 shkurt 2026.
Aktualisht, kompanitë e mëdha private po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila po vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF). Pas skadimit të këtij afati, ky furnizues nuk ka më të drejtë ligjore të ofrojë energji për këto kompani.

ZRRE-ja dhe KEK-u, si institucione përgjegjëse, u kanë bërë thirrje të gjitha bizneseve që sa më shpejt të kontaktojnë furnizues të licencuar dhe të nënshkruajnë kontratë të re për furnizim, për të shmangur ndërprerjen e energjisë. Në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për furnizim me energji elektrike, ndërsa tri të tjera janë në proces licencimi.