Gjatë Kupës së Botës për Klube, FIFA po tërheq vëmendje me një qasje jo fort të zakonshme në rrjetet sociale, duke shpërndarë momente të sikletshme të lojtarëve gjatë ndeshjeve.

Këtë herë në qendër të kritikave është kapiteni i Francës dhe ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe.

Në gjysmëfinalen ku Real Madridi pësoi një humbje të rëndë 4-0 kundër ish-skuadrës së tij, Paris Saint-Germain (PSG), Mbappe pati një performancë për t’u harruar.

Gjatë ndeshjes, ai tentoi disa lëvizje tipike të tij në krah, por humbi topin në mënyrë të turpshme, duke lejuar mbrojtësin e PSG-së të driblojë dhe të avancojë drejt portës.

FIFA nuk e la pa u kapur këtë moment, duke publikuar në llogaritë e saj zyrtare në rrjetet sociale një video me këtë episod, e cila shkaktoi një valë talljesh dhe kritika kundër Mbappes.

Megjithatë, edhe pse kjo situatë e fundit ka tërhequr vëmendjen dhe kritikat, Mbappe vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i Real Madridit për sezonin aktual, me 44 gola të shënuar.

Megjithatë, sezoni për ekipin madrilen përfundoi pa asnjë trofe të rëndësishëm, duke shkaktuar zhgënjim të madh për klubin dhe tifozët e tij.

Ky rast ngre pyetje mbi mënyrën sesi FIFA përdor rrjetet sociale dhe nëse kjo është një mënyrë e drejtë apo e përshtatshme për të trajtuar lojtarët dhe momentet e tyre të dobëta në fushë.