Analisti Flogert Muça, i ftuar në një intervistë për Euronews Albania, ka komentuar zhvillimet e fundit në Theth, ku po vijon aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur.

Sipas tij, përgjegjësia bie si mbi ndërtuesit, ashtu edhe mbi institucionet vendore që kanë toleruar apo ndihmuar ndërtimet në mënyrë të paligjshme.

Muça thekson se ka përgjegjësi edhe tek inspektorët e mbrojtjes së territorit dhe policia bashkiake, të cilët nuk kanë vepruar në kohë ose kanë toleruar ndërtimet për interesa të ndryshme.

“Banorët e Thethit janë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës. Nuk duhet të ngatërrojmë emocionin njerëzor që na dhimbset shembja, por duhet ndarë humanja nga ligjorja. Ata e dinë se alpet atje janë zona të mbrojtura, në pronë private nuk mund të ndërtosh beton, as pa leje as pa asgjë. Ata e kanë bërë. Aty ka inspektor të policisë bashkiakë, inspektor të mbrojtjes së territorit që në rastin më të mirë nuk e kanë bërë punën e tyre dhe në rastin më të keq janë bashkëfajtor me ndërtuesin që mund të ketë ndodhur dhe një ryshfet.

Ligji është i qartë për zonat e mbrojtura. Të dhemb shpirti për investimin e atyre qytetarëve, por nga ana tjetër fakti që mund të jetë bërë një kaos atje në zonat e mbrojtura, nuk mund ta normalizojmë”, tha Muça.