Pasditja e kësaj të mërkure ka shënuar fluks të lartë të emigrantëve kosovarë që po kthehen në vendlindje për pushimet verore, duke shkaktuar ngarkesë të konsiderueshme në Rrugën e Kombit dhe në pikën kufitare të Vërmicës. Bashkë me ta, edhe shumë turistë të huaj po shfrytëzojnë këtë korridor për të hyrë në Kosovë nga Shqipëria.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, nga data 1 deri më 15 korrik 2025 janë regjistruar 367,235 dalje nga Shqipëria drejt Kosovës, një shifër rekord që dëshmon intensitetin e lëvizjeve sezonale në këtë aks strategjik. Ky fluks i madh shpjegohet kryesisht me kthimin masiv të diasporës kosovare për pushime në atdhe, por edhe me rritjen e ndjeshme të turizmit ndërkufitar.

Në pikën kufitare të Vërmicës, autoritetet doganore të Kosovës kanë vënë në funksion të gjashtë sportelet ekzistuese dhe kanë aplikuar procedura të përshpejtuara për kontrollin kufitar. Megjithatë, radha dhe vonesat mbeten të pashmangshme, sidomos për mjetet me targa të vendeve të BE-së, të cilat nuk përfitojnë nga marrëveshja e kalimit të lirë mes dy shteteve.

Rruga e Kombit mbetet nyja kryesore e këtij qarkullimi, duke u shndërruar në një arterie strategjike për transportin dhe lëvizjen e njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Lëvizjet në drejtim të kundërt, nga Kosova drejt Shqipërisë, përfshijnë kryesisht qytetarë kosovarë që udhëtojnë për pushime ditore ose fundjave në destinacionet bregdetare shqiptare.

Vetëm gjatë 15 ditëve të para të korrikut, mbi 300 mijë shtetas të Kosovës kanë hyrë në Shqipëri përmes Rrugës së Kombit, me destinacione të preferuara si Durrësi, Shëngjini, Velipoja dhe bregdeti i jugut.

Një tendencë e re këtë sezon është rritja e numrit të turistëve nga Turqia, të cilët po përdorin tranzitin përmes Kosovës për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar. Zgjedhja e Shqipërisë lidhet kryesisht me kostot më të ulëta që ofron, krahasuar me pushimet në bregdetin turk, si dhe me përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe turistike.

Autoritetet kufitare të të dy vendeve apelojnë për durim dhe mirëkuptim nga udhëtarët, ndërsa theksojnë se janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar fluksin në rritje gjatë sezonit turistik.