Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë vrarë një nga udhëheqësit kryesorë të grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS) gjatë një bastisjeje të zhvilluar në provincën Aleppo të Sirisë.
Lajmi u konfirmua të premten nga Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM), përmes një deklarate zyrtare.
Operacioni përfundoi me neutralizimin e Dhiya Zawba Muslih al-Hardani, një figurë e lartë brenda strukturës së ISIS-it, si dhe dy djemve të tij të rritur, të cilët gjithashtu ishin të lidhur me grupin xhihadist.
“Këta individë përbënin një kërcënim të vazhdueshëm për forcat amerikane dhe partnerët e koalicionit, si dhe për qeverinë e re siriane,” thuhet në deklaratën e CENTCOM, duke shtuar se gjatë operacionit nuk pati viktima civile. Në vendin e bastisjes ndodheshin edhe tre gra dhe tre fëmijë, të cilët nuk u lënduan, shkruan Guardian.
Grupi ISIS lindi nga kaosi i luftës civile siriane dhe për më shumë se një dekadë arriti të marrë kontrollin e territoreve të mëdha në Siri dhe Irak. Megjithëse është mposhtur në pjesën më të madhe të zonave që kontrollonte, struktura të shpërndara të grupit mbeten aktive dhe vazhdojnë të përbëjnë rrezik për stabilitetin rajonal.
Shtetet e Bashkuara, përmes forcave speciale dhe sulmeve ajrore të koordinuara, vazhdojnë të ndërmarrin operacione për të penguar ringjalljen e ISIS-it dhe për të goditur drejtuesit që përpiqen të organizojnë celula të reja terroriste.