Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka apeluar vendimin e Gjykatës së Posaçme, për vazhdimin e qëndrimit të tij në burg dhe rrëzimin e kërkesës për zëvendësim të masës së sigurisë. Sipas informacioneve, avokatët e Metës kanë dorëzuar ditën e sotme ankimimin pranë Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në seancën e 26 qershorit, GJKKO vendosi lënien në fuqi të masës “arrest në burg” për kreun e PL-së. Meta kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të butë.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Monika Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.