Për dy vite me radhë, misteri i asaj që ndodhi në tryezën e drekës së Erin Patterson ka ngërthyer vëmendjen e botës.
Pesë persona u ulën për të ngrënë drekë në shtëpinë e saj në një zonë rurale të Australisë më 29 korrik 2023. Brenda një jave, tre prej tyre do të ishin të vdekur, një i katërt do të luftonte për jetën, dhe e pesta – vetë Erin – do të ishte nën hetim për helmim të qëllimshëm të të ftuarve me kërpudha të egra.
Pas një gjyqi shumë të ndjekur në qytetin e vogël Morwell, Erin është shpallur fajtore për vrasjen e tre të afërmve dhe përpjekjen për të vrarë një tjetër. Me sytë nga juria gjatë gjithë kohës, ajo qëndroi e heshtur dhe e përmbajtur ndërsa u shpall verdikti që mund ta çojë në burgim të përjetshëm.
E vetëquajtura dashuruese e kërpudhave dhe kërkuese amatore kishte deklaruar në gjykatë se gjithçka ishte një aksident tragjik.
Por gjatë nëntë javëve, juria dëgjoi prova që sugjeronin se ajo kishte kërkuar me qëllim kërpudhat vdekjeprurëse në qytetet përreth dhe kishte joshur viktimat drejt asaj dreke fatale nën pretekstin e rremë se kishte kancer – për të tentuar më pas të fshehë krimin duke gënjyer policinë dhe zhdukur provat.
Pjata portokalli
Prindërit e burrit të Erin-it, Gail dhe Don Patterson, kishin mbërritur në derën e saj pak pas mesditës atë të shtunë fatkeqe, me një tortë portokalli në dorë. Me ta ishin edhe familjarët Wilkinsons: Heather, motra e Gail-it, dhe bashkëshorti i saj Ian – i cili, disa javë pas asaj dreke, do të zgjohej nga koma për të zbuluar se ishte i vetmi i mbijetuar nga të ftuarit.
Ajo që binte në sy ishte mungesa e Simon Patterson, bashkëshortit të ndarë të Erin-it. Ai ishte tërhequr një ditë më parë, duke thënë se nuk ndjehej mirë që të merrte pjesë për shkak të tensioneve mes çiftit të ndarë.
Erin kishte kaluar mëngjesin duke punuar mbi një recetë nga një prej kuzhiniereve më të dashura të vendit, të cilën e kishte përshtatur për të përgatitur racione individuale të “biftekut Wellington” – copa të shtrenjta mishi të lyera me një pastë kërpudhash dhe të mbështjella me brumë.
Ian tregoi para jurisë se pa teksa këto racione vendoseshin në katër pjata gri – dhe një pjatë portokalli për Erin – të shoqëruara me puré patatesh, bishtaja jeshile dhe salcë mishi në anë.
Një racion i gjashtë, i përgatitur supozohet për Simon nëse ai ndryshonte mendje dhe vinte, u fut në frigorifer. Erin fillimisht ishte akuzuar edhe për përpjekje për ta vrarë atë – në disa raste – por ato akuza u hoqën një ditë para fillimit të gjyqit dhe nuk iu paraqitën jurisë.
Grupi tha lutjen para ngrënies dhe më pas nisën vaktin, duke shkëmbyer batuta për sasinë që po hanin.
“Flitej për burrat që ndihmonin gratë e tyre,” tregoi Ian.
Të ngopur, ata hëngrën ëmbëlsirën, para se Erin t’i habiste me një deklaratë që kishte kancer, dëgjoi gjyqi.
Edhe mbrojtja pranon që kjo nuk ishte e vërtetë. Por atë ditë, çiftet e moshuar i dhanë Erin këshilla se si t’ua thoshte fëmijëve të saj, përpara se ta mbyllnin vaktin ashtu siç e nisën – me një lutje.
Ian i tha gjykatës se nuk e njihte mirë mikpritësen, por “gjërat ishin miqësore”.
“Ajo më dukej thjesht një person normal,” tha ai.
Brenda asaj nate, të gjithë mysafirët u sëmurën rëndë, dhe ditën pasuese katër prej tyre shkuan në spital me simptoma të rënda. Donald – i cili kishte ngrënë pjesën e tij të ushqimit dhe rreth gjysmën e asaj që hëngri gruaja e tij – i tha mjekut se kishte vjellë 30 herë brenda disa orësh.
Dyshimet filluan të lindin shpejt.
Gjyqi dëgjoi se disa nga ata të ftuar në drekë ishin habitur nga ftesa. Simon tha se ishte e rrallë që ish-gruaja e tij të organizonte një gjë të tillë, ndërsa Ian tha se ai dhe bashkëshortja e tij e ndjerë nuk kishin shkuar asnjëherë më parë në shtëpinë e Erin.
Në retrospektivë, një nga mysafirët kishte pyetur me zë të lartë pse Erin i kishte shërbyer vetes në një pjatë të ndryshme nga familja.
“Kam menduar për këtë që nga dreka,” tha Heather, sipas një dëshmitari. “A i mungojnë Erin pjatat?”
Më vonë, në spitalin në Leongatha, mysafirët e sëmurë pyetën nëse edhe mikpritësja ishte sëmurë. Të gjithë kishin ngrënë të njëjtën vakt, apo jo?
Detektivët do t’i bënin pyetje të ngjashme disa ditë më vonë, në dhomën e intervistës në polici me Erin.
“Po përpiqemi të kuptojmë se çfarë i ka bërë ata kaq të sëmurë,” dëgjoheshin të thoshin detektivët në një regjistrim që u luajt në gjyq. “Në anën tjetër, po përpiqemi të kuptojmë pse ti nuk je aq e sëmurë.”
Erin Patterson e përshkroi drekën për herë të parë publikisht në gjyq.
Ajo i tha gjykatës se pasi të kishte përshëndetur të afërmit, kishte pastruar kuzhinën dhe më pas i kishte bërë vetes një shpërblim duke ngrënë një copë nga torta portokalli që kishte sjellë Gail.
“[Hodha] një copë tjetër torte, dhe pastaj edhe një copë tjetër,” tha ajo. Para se ta kuptonte, torta ishte mbaruar dhe ajo ndihej shumë e ngopur.
“Prandaj shkova në tualet dhe e nxora përsëri,” i tregoi Erin gjykatës. “Pas kësaj ndihesha më mirë.”
Ajo tregoi para jurisë për një luftë të fshehtë me buliminë, duke thënë se kishte pasur episode të rregullt të ngrënies së tepruar dhe pastaj pastrimit që nga adoleshenca – diçka që sipas avokatëve të saj shpjegonte mungesën e simptomave të helmimit.
Dy ditë pas drekës, Erin shkoi vetë në spital, duke raportuar se ndihej keq. Por fillimisht ajo refuzoi me këmbëngulje lutjet urgjente të stafit që ajo dhe fëmijët e saj – për të cilët pretendonte se kishin ngrënë mbetjet e ushqimit – të shtroheshin menjëherë për trajtim.
Një mjek i “habitur”, i cili kishte parë gjendjen e rëndë të pjesëtarëve të tjerë të drekës, u shqetësua aq shumë për sigurinë e tyre sa që kontaktoi policinë për ndihmë.
Por kur mjekët më në fund e bindën Erin të bëhej kontrolli, as ajo dhe as fëmijët nuk shfaqën simptoma të ngjashme me të tjerët që kishin ngrënë në atë drekë. Testet nuk treguan asnjë gjurmë të helmit të kërpudhave.
Pas një qëndrimi paraprak 24-orësh, Erin u largua nga spitali.
Flamuj të kuq
Ndërsa viktimat e saj vazhdonin të vuanin në spital – me të vjella dhe diarre të pakontrollueshme që përshkallëzoheshin në dështim organesh – prokurorët pretendojnë se Erin po përpiqej të mbulonte gjurmët.
Ditën pas daljes nga spitali, kamerat e sigurisë e kapën Erin duke shkuar në një pikë grumbullimi mbeturinash lokale dhe duke hedhur një dehidratues ushqimi, i cili më vonë rezultoi se kishte gjurmë të kërpudhave helmuese.
Gjithashtu, ajo po përdorte tre telefona rreth kohës së drekës, dy prej të cilëve u zhdukën menjëherë më pas. Telefoni i vetëm që ia dorëzoi policisë ishte fshirë vazhdimisht – përfshirë edhe gjatë kohës kur hetuesit po kontrollonin shtëpinë e saj.
Për hetuesit, sinjalet alarmante filluan të grumbulloheshin shpejt.
Kur u pyet për burimin e kërpudhave, përgjigjet e Patterson ishin të çuditshme. Ajo pretendoi se disa prej tyre i kishte blerë të thata në një dyqan aziatik në Melburn, por nuk mbante mend në cilën lagje. Kur u pyet për markën apo ndonjë provë blerjeje, tha se ishin në ambalazh pa emër dhe se duhet të ketë paguar me para në dorë.
Ndërkohë, hetuesit zbuluan se kërpudhat helmues ‘death cap’ (kapelet e vdekjes) ishin parë në dy qytete pranë zonës ku banonte Erin, në javët para drekës fatale. Banorë të shqetësuar kishin postuar foto dhe vendndodhjet në bazën online të të dhënave për bimët, iNaturalist. Historia e kërkimeve në internet e Erin tregonte se ajo e kishte përdorur këtë faqe për të parë vendndodhjet e kërpudhave helmuese, të paktën një herë më parë.
Të dhënat e vendndodhjes nga telefoni i saj mobil duket se e tregonin atë duke udhëtuar drejt të dy qyteteve – dhe duke blerë dehidratuesin e ushqimit famëkeq gjatë kthimit nga një prej atyre udhëtimeve.
Por përpara policisë, Erin mohoi se kishte ndonjëherë një pajisje të tillë, pavarësisht faktit që një manual përdorimi për dehidratues u gjet në sirtarin e kuzhinës së saj, dhe pavarësisht postimeve në një grup në Facebook për krime të vërteta, ku ajo mburrej se po e përdorte.
Në njërin prej tyre, ajo shkruante: “Kam fshehur kërpudha pluhur në gjithçka. I përzjeva në çokollatë ‘brownies’ dje – fëmijët nuk e kishin fare idenë”.
Kur ekspertët e forensikës digjitale arritën të rikuperonin disa nga materialet në pajisjet e saj, ata gjetën fotografi që tregonin diçka që ngjante me kërpudhat helmues, të vendosura mbi një peshore kuzhine.
Gjatë gjyqit, Erin dëshmoi se vetëm disa ditë pas drekës i kishte shkuar në mendje që ndoshta bifteku Wellington-i mund të kishte përfshirë gabimisht kërpudha të thata që ajo i kishte mbledhur vetë dhe i kishte përzier pa dashje me ato të blera në dyqan. Por kishte qenë shumë e “frikësuar” për ta treguar këtë.
“Ishte një reagim idiot, instiktiv… për të gërmuar më thellë e për të vazhduar me gënjeshtrën,” tha ajo në gjykatë.
Pa motiv të qartë
Asgjë nuk ishte e qartë për policinë kur vinte puna te motivi.
Simon dëshmoi në gjyq se ai dhe Erin kishin mbetur miq dhe flisnin lirshëm pas ndarjes së tyre në vitin 2015. Por sipas tij, gjithçka ndryshoi në vitin 2022, kur mes çiftit nisën mosmarrëveshjet për financat, pagesat për fëmijët, shkollat dhe pronat.
Megjithatë, ai tha se nuk kishte pasur asnjë shenjë që Erin të kishte ndonjë armiqësi ndaj familjes së tij.
“Sidomos me babain e kishte shumë mirë. Ndante me të dashurinë për dijen dhe mësimin.”
Me zërin që i dridhej, Simon shtoi: “Mendoj se ajo e donte natyrën e tij të butë.”
Por vetë Erin i tha gjykatës se po ndjehej gjithnjë e më e izoluar nga familja Patterson – dhe u paraqitën prova që tregonin se ajo ishte bërë e frustrar ndaj tyre.
“Ke pasur dy fytyra,” i tha prokurorja Nanette Rogers, pasi e detyroi Erin të lexonte me zë mesazhe në Facebook plot fyerje, ku ajo e quante Simon-in “një dështak” dhe prindërit e tij “një kauzë e humbur”.
Megjithatë, prokuroria zgjodhi të mos paraqiste një motiv specifik, duke thënë se juria mund të mbetej ende me pyetjen se çfarë e shtyu Erin të vriste, edhe pasi gjyqi të kishte përfunduar.
Mungesa e një motivi të qartë ishte thelbësore për mbrojtjen e Erin: pse do të donte ajo të vriste familjen e saj, njerëz që – sipas saj – i donte si prindërit e vet?
“Prindërit e mi nuk janë më. Gjyshërit e mi nuk janë më. Ata janë e vetmja familje që kam… I dua shumë,” u tha ajo policëve gjatë marrjes në pyetje.
Avokati i saj mbrojtës argumentoi se gjithçka tjetër mund të shpjegohej.
Mesazhet ku ajo kritikonte të afërmit e burrit ishin thjesht shkarkim emocionesh të padëmshme; gënjeshtra për kancerin ishte një justifikim për operacionin e humbjes së peshës që po planifikonte, por për të cilin ndjehej shumë në siklet për ta pranuar.
Të dhënat e vendndodhjes nga celulari nuk ishin aq precize, kështu që nuk kishte prova të qarta se ajo kishte vizituar realisht qytetet ku ishin parë kërpudhat helmuese.
Gjithashtu, ata sugjeruan se Erin ishte sëmurë pas vaktit, thjesht jo aq rëndë sa të tjerët sepse ajo e kishte vjellë ushqimin. Ajo e urrente të shkonte në spital – prandaj ishte larguar prej andej kundër këshillës mjekësore.
Ndërsa gënjeshtrat dhe përpjekjet për të zhdukur provat ishin sjellje e një gruaje që kishte frikë se mos fajësohej për vdekjet aksidentale të të ftuarve të saj.
“Erin nuk po gjykohet për gënjeshtra,” tha avokati mbrojtës Colin Mandy. “Ky nuk është një gjykim moral.”
Ai akuzoi prokurorinë se po përpiqej të detyronte një “puzzle” provash të përshtatej, duke “shtrembëruar interpretimet dhe injoruar shpjegime alternative vetëm sepse nuk përputhen saktësisht me narrativën e tyre”.
Por prokuroria argumentoi se Erin kishte thënë aq shumë gënjeshtra, sa ishte e vështirë të mbaheshin mend të gjitha.
“Ndoshta më e pabesueshmja,” tha prokurorja Dr. Rogers, ishin përpjekjet e saj për të shpjeguar gënjeshtrën për kancerin. Për të provuar se kishte planifikuar të bënte operacion për vendosjen e një rripi gastrik, Erin pretendoi se kishte caktuar një takim në një klinikë në Melburn – e cila nuk ofronte fare një trajtim të tillë.
“Ajo ka thënë gënjeshtër pas gënjeshtre sepse e dinte që e vërteta do ta implikonte,” tha Dr. Rogers. “Kur e kuptoi që gënjeshtrat e saj ishin zbuluar, shpiku një rrëfim të kujdesshëm për të përputhur me provat – por jo plotësisht.”
Dr. Rogers tha se juria nuk duhet të kishte asnjë vështirësi për të refuzuar argumentin se “kjo ishte thjesht një aksident i tmerrshëm gjatë mbledhjes së kërpudhave”.
Në fund, pas një jave diskutimesh, juria bëri pikërisht këtë. Erin do të kthehet në gjykatë për një seancë dënimi në një datë të mëvonshme.