Mbi 150 shtetas shqiptarë kanë nisur tashmë procedurat për përfitimin e pensionit në kuadër të marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2025.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot një takim me drejtoreshën e përgjithshme të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore në Itali, Valeria Vittimberga, ku u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të marrëveshjes.
Marrëveshja i hap rrugë njohjes së ndërsjellë të periudhave të sigurimit dhe mundëson përfitimin e pensioneve sipas legjislacionit kombëtar të secilit shtet.
“Deri tani, kërkesat e para janë kryesisht për bashkimin e periudhave të sigurimit për qëllime pensioni në Itali, si dhe nga individë që nuk plotësojnë minimumin prej 15 vite sigurim në Shqipëri”, informoi ministri.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka ngritur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të pritur dhe përpunuar këto kërkesa, si dhe për të realizuar komunikimin e drejtpërdrejtë dhe efikas me palën italiane.
“Shkëmbimi i formularëve midis dy institucioneve do të kryhet në mënyrë elektronike, duke reduktuar ndjeshëm kohën e procedurës dhe duke lehtësuar ndjeshëm shërbimin për qytetarët”, shtoi Gonxhja.
Në funksion të transparencës dhe udhëzimit të saktë për qytetarët, janë publikuar tashmë të gjitha udhëzimet dhe manualet që shpjegojnë hapat që duhen ndjekur për çdo kategori aplikuesi.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap domethënës në drejtim të mbrojtjes sociale dhe është një model bashkëpunimi që synohet të zgjerohet edhe me vende të tjera ku jetojnë dhe kontribuojnë shtetasit shqiptarë.