Gjiganti amerikan i kompjuterëve Microsoft jep alarmin se platforma e tij SharePoint po përballet me një sulm të vazhdueshëm nga hakerët.
Sulmet po godasin serverët e këtij aplikacioni që përdoret gjerësisht nga qeveri, kompani dhe organizata në mbarë botën për shpërndarjen dhe përdorimin në rrjete të brendshme të dokumenteve dhe mesazheve të komunikimit. Në shënjestër janë organizma në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën, por ende nuk janë dhënë emra specifikë.
Hakerët kanë shfrytëzuar një dobësi të sistemit, e njohur si “zero-day”, që nuk ishte konstatuar deri më tani, për të penetruar brenda kësaj platforme. Kjo lejon sulmuesin të hyjë me identitet të rremë, duke u shtirur si një person apo sistem i besuar.
Përdoruesve mund t’u vidhen të dhëna konfidenciale, mund t’u falsifikohen dokumentet, ndërsa dëmet mund të çojnë deri në ndërprerje të funksioneve te brendshme te institucioneve.
Microsoft u bëri thirrje përdoruesve të instalojnë disa mekanizma të sapopublikuar për t’u mbrojtur nga këto sulme. Për disa versione, si ato të viteve 2016 dhe 2019, rekomandohet që serverët të shkëputen nga interneti. FBI ka nisur punën për hetimin dhe parandalimin e rrezikut. Në mbarë botën, dhjetëra mijë serverë mund të jenë në rrezik.