Policia e Shkodrës ka reaguar pas raportimeve në media dhe rrjete sociale për një sulm të supozuar me molotov ndaj mjeteve të IKMT-së dhe një ure në lagjen “Gjelaj” të fshatit Theth.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 15:35 një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur një shishe me lëndë djegëse në rrugë, me qëllim djegien e një ure druri. Falë ndërhyrjes në kohë të forcave të Policisë, djegia e plotë e urës u parandalua, megjithatë ajo ka pësuar disa dëmtime të pjesshme.
Policia mohon kategorikisht që mjetet e IKMT-së të jenë sulmuar, duke sqaruar se nuk ka pasur asnjë dëm ndaj fadromave apo rrezik për jetën e qytetarëve dhe punonjësve shtetërorë.
Aktualisht, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Forca Kombëtare e Sigurisë ndodhen në zonë për të garantuar rendin dhe për të mbështetur veprimet e strukturave të IKMT dhe IMT të Bashkisë Shkodër, në zbatim të planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth.
Grupi hetimor është në veprim për të identifikuar dhe ndaluar autorin e incidentit.
Policia bën thirrje për qytetarët të mos pengojnë veprimet ligjore të institucioneve shtetërore, pasi çdo veprim i paligjshëm do të përballet me forcën e ligjit.