Së fundmi në Theth ka nisur një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje. Gazetarja Emi Kalaja bëri një raportim për emisionin “Opinion” në Tv Klan ku sqaroi se çfarë po ndodh atje.

Sipas asaj që tha gazetarja, situata në Theth është e tillë:

Banorët janë në tokën e tyre, por kanë ndërtuar pa asnjë leje. Ata kanë interpretuar thirrjen e Ramës për paketën e maleve si leje dhe tashmë policia i ka nisur për ndjekje penale. Ndërkohë vendimi për të shembur ndërtesat ka ardhur brenda këtyre 10 ditëve që jemi në sezon.

Emi Kalaja: Nuk kanë asnjë leje. As për shtëpitë që janë ndërtuar.

Blendi Fevziu: Si i kanë ndërtuar me llafin e Ramës?

Emi Kalaja: I kanë ndërtuar duke pretenduar se mund të investonin sepse kanë trokitur dyer më dyer.

Blendi Fevziu: Kanë interpretuar fjalën e Ramës dhe kanë interpretuar si leje ndërtimi?

Emi Kalaja: Kanë investuar me shpresën që po ndërtojnë në tokën e tyre.

Gazetarja bëri me dije se pjesa më e madhe e ndërtimeve janë kontejnerë dhe shtëpiza druri që kanë ardhur të gatshme dhe janë vendosur brenda këtyre 4 muajsh. Sipas saj, procedimet e para janë konstatuar në fund të muajit mars.

“Pavarësisht se flitet për indiferencë nga ana e shtetit, nuk ka qenë e tillë. Ka qenë në muajin mars që kur kanë mbirë si kërpurdhat që në muajin mars”, raportoi gazetarja.

Sipas gazetares, vetëm një prej ndërtimeve ka qenë mbi beton, ndërsa pjesa tjetër në çakull ose mbi rrasa guri.

Gazetarja Kalaja tha se vendimi për ekzekutim prishje ka ardhur vetëm dy javë më parë pasi janë ndjekur disa procedura ligjore. Ajo tha se banorët kanë kërkuar që t’i shembin, po pas sezonit turistik.

“Kanë pranuar edhe muajin shtator, por thjesht gjatë këtyre kohe të mos u shkatërrohet biznesi dhe ai dinjitet i Thethit i ngritur prej vitesh”, tha gazetarja.

Ajo raportoi se bëhet fjalë për të paktën 80 subjekte që do të shemben.

Emi Kalaja: Edhe aty ku shihen 5 shtëpiza konsiderohet një subjekt i vetëm. Në një farë mënyrë një situatë kaotike në Theth, edhe strukturat e Bashkisë Shkodër punojnë paralelisht për të pastruar territorin.

Blendi Fevziu: Ajo që shoh unë që të pastrosh dhe të kthesh fushën e kishës siç ka qenë për mua është e pamundur. Ka qenë pamja më e bukur, më e fotografuara.

Emi Kalaja: Është kartolina e Thethit.

Blendi Fevziu: Kartolinë që nuk është më mesa duket./tvklan.al