Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë këtë të hënë në inaugurimin e konsullatës greke në qytetin e Korçës. Të pranishëm në këtë inagurim ishin dhe ministri i Jashtëm i Greqisë George Gerapetritis, si dhe eurodeputeti grek Fredi Beleri.

Në fjalën e tij, Hasani theksoi se hapja e konsullatës përfaqëson jo vetëm një institucion diplomatik, por edhe një urë lidhjeje me rrënjë europiane dhe miqësi shekullore mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Është kënaqësi të inaugurojmë një ndërtesë të re për konsullatën greke në një qytet me rrënjë europiane. Përcjellim gatishmërinë tonë për marrëdhënie me respekt, vlera europiane dhe miqësi shekullore,” tha Hasani.

Ai vuri në dukje rolin thelbësor të Greqisë si partner i rëndësishëm i Shqipërisë, si dhe mbështetjen e saj për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

“Kjo frymë e re materializohet në projekte të reja për minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi. Në këtë kuadër, mbështetja e Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE është thelbësore. Mbështetja e saj është e dukshme edhe sot me prezencën e ministrit të jashtëm në Korçë.”- tha Hasani.

Hasani përmendi edhe figurën historike të Jorgo Seferit, nobelistit grek, në basnesën e të cilit do të hapet konsullata greke në Korçë.

“Siç thoshte vetë Seferis, urat nuk ndërtohen me gurë, por me fjalë e kujtesë. Rinovimi i kësaj konsullate është një pikë referimi për shkëmbime kulturore dhe afrimin me qytetarët.”

Në fund, ministri i Jashtëm uroi suksese konsullit të përgjithshëm dhe stafit të tij, duke theksuar se sot është mundësia për të ndërtuar një partneritet të ri.

“Nga Korça le të përcillet mesazhi se miqësia dhe marrëdhëniet e mira janë themeli për një të ardhme më të mirë për popujt tanë. Le të jemi brezi që e bën realitet një vizion të vërtetë,”- deklaroi Hasani.