Ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert ka bërë thirrje të fortë për ndaljen e menjëhershme të luftës në Gaza, duke e quajtur situatën një katastrofë morale dhe strategjike. Në një intervistë për gazetën italiane La Stampa, Olmert kritikoi ashpër qasjen aktuale të qeverisë izraelite dhe theksoi se nuk ka më asnjë justifikim për vazhdimin e operacioneve ushtarake.

“Lufta duhet të ndalet menjëherë,” tha ai, duke nënvizuar se Hamas tashmë është shkatërruar në pjesën më të madhe të strukturave të tij dhe shumica e liderëve janë eliminuar. “Kjo nuk e justifikon më vrasjen e civilëve dhe rrezikimin e jetës së pengjeve izraelite,” shtoi ai.

Olmert theksoi se ndalimi i luftës është kusht i domosdoshëm për lirimin e pengjeve, ndërsa i cilësoi sulmet ndaj civilëve që prisnin ndihma si krime lufte. “Të qëllosh mbi gra e burra që janë në radhë për bukë është një akt i papranueshëm,” deklaroi ai.
Në lidhje me rolin e SHBA, ai tha se ndikimi i ish-presidentit Donald Trump do të kishte efekt vetëm nëse ai “i jep një urdhër të prerë Netanyahu-t për të ndalur sulmet”. Sipas tij, në këtë pikë nuk mjaftojnë më diskutimet, por nevojitet vendimmarrje me autoritet.

Olmert shprehu kritika të forta ndaj ministrave ultraekstremistë si Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, duke i quajtur “terroristë brenda qeverisë”. Ai i akuzoi ata për nxitje të dhunës kundër palestinezëve dhe përkrahje të një politike që ai e cilësoi si spastrim etnik.

“Këta ministra përfaqësojnë shumicën e kolonëve dhe kanë mbështetjen e qeverisë. Netanyahu nuk i kundërshton publikisht – ky është një gabim i madh moral dhe politik,” u shpreh ai.

Pavarësisht krizës, Olmert mbetet i bindur se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë drejt paqes. “Izraeli ka fituar çdo luftë, por nuk ka gjetur paqen. Pa marrëveshje me palestinezët, do të mbetemi të ngujuar në një cikël të përhershëm dhune dhe hakmarrjeje,” tha ai.

Intervista e Olmert vjen në një moment kritik për rajonin dhe përbën një nga deklaratat më të forta publike nga një figurë e lartë izraelite që kërkon qartë ndalimin e konfliktit dhe kthimin në negociata politike.