Në të gjitha aeroportet e Parisit, anulohen rreth 40% e fluturimeve dhe qindra mijëra pasagjerë u detyruan të riorganizojnë planet në kulmin e sezonit veror të udhëtimeve. Kjo për shkak të një greve të kontrollorëve francezë të trafikut ajror që kërkojnë kushte më të mira pune.
Ndërprerjet nisën të prekin aeroportet në të gjithë Francën që nga dje dhe sot u intensifikuan. Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil iu kërkoi kompanive ajrore të anulonin 40% të fluturimeve të kësaj të premteje në aeroportet Charles de Gaulle, Orly e Beauvais që shërbejnë Parisin, si edhe gjysmën e fluturimeve në Nice e 30% të atyre në Marseille, Lyon e qytete të tjera.
Pavarësisht anulimeve parandaluese, autoriteti paralajmëroi në një deklaratë se “priten ndërprerje dhe vonesa të gjata në të gjitha aeroportet franceze”.
Ryanair ishte mes kompanive ajrore që njoftuan ndërprerje të gjera, duke thënë në një deklaratë se kishte anuluar mbi 400 fluturime, duke prekur 70 mijë pasagjerë. Kompania tha se greva ndikon në të gjitha fluturimet e saj mbi hapësirën ajrore franceze, si dhe në trafikun që hyn dhe del nga aeroportet franceze. Po ashtu, i bëri thirrje Bashkimit Europian të reformojë rregullat e trafikut ajror.
Një nga dy sindikatat që po udhëheqin grevën, UNSA-ICNA, raportoi se nuk ka mjaftueshëm punonjës për të përballuar rritjen e trafikut ajror dhe se inflacioni po gërryen pagat. Sindikatat po kundërshtojnë masat e reja të reformës që synojnë mbikëqyrje më të rreptë të punës së tyre, të nxitura nga një pothuajse përplasje që ndodhi në aeroportin e Bordeaux-së.