Kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës, Erion Veliaj, do të dalë nesër, më 8 korrik, përpara trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për ndryshimin e masës së sigurisë. Veliaj, i arrestuar disa javë më parë në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe shpërdorim detyre, do të paraqesë mbrojtjen e tij me shpresën për të fituar lirinë.
Trupa gjykuese që do të vendosë për fatin e tij përbëhet nga gjyqtarët Medi Bici dhe Sokol Binaj, ndërsa relatore e çështjes është caktuar gjyqtarja Albana Boksi.
Seanca pritet të zhvillohet në orët e paradites dhe ka ngjallur interes të lartë publik, për shkak të profilit të lartë të të pandehurit dhe peshës politike që mbart çështja.
Gjykata e Lartë do të shqyrtojë ligjshmërinë e masës së sigurisë së vendosur më herët nga gjykatat më të ulëta.