Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për caktimin e shoqërisë që do të merret me procesin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë së bimës së cannabis-it në territorin e Shqipërisë, në përputhje me ligjin për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Sipas vendimit të qeverisë, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është përzgjedhur shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a., si autoriteti i autorizuar për këtë proces të rëndësishëm.

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT TË AUTORIZUAR PËR REALIZIMIN E SHENJIMIT DHE GJURMUESHMËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 34, të ligjit nr. 61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Këshilli i Ministrave:

V E N D O S I:
Shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a., caktohet si autoriteti i autorizuar për realizimin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë së bimës së cannabis-it, në zbatim të ligjit nr. 61/2023.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it si dhe vetë shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, thuhet në dokumentin zyrtar të qeverisë.