Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të enjte në Konferencën e 4-t Ndërkombëtare për Rimëkëmbjen e Ukrainës, e zhvilluar në kryeqytetin italian, ku u bashkua me liderë botërorë në një zë të vetëm në mbështetje të popullit ukrainas, që prej më shumë se dy vitesh përballet me agresionin brutal rus.

Në fjalën e tij, Kryeministri shqiptar theksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën dhe integritetin e saj territorial, duke nënvizuar se retorika e paqes nuk mjafton për t’i dhënë fund luftës.

 “Të flasësh për paqen nuk e ndal luftën! Nëse duam ta ndihmojmë realisht Ukrainën dhe t’i japim fund kësaj lufte të tmerrshme, duhet një plan i qartë, i besueshëm dhe i guximshëm për paqen,” – u shpreh Rama.

Ai theksoi se pavarësisht se Shqipëria është një vend i vogël, me burime të kufizuara dhe pa fuqi ndikimi në terren, ajo do të qëndrojë gjithmonë në krah të Ukrainës dhe partnerëve evropianë.

 “Kemi qenë dhe do të jemi krah Italisë, miqve dhe partnerëve tanë evropianë, sa herë që Ukraina do të ketë nevojë për ne,” – deklaroi Kryeministri.

Nga podiumi në Romë, Rama lëshoi edhe një mesazh të fortë për unitetin evropian, duke theksuar se Europa nuk mund të lejojë që të tjerët – jashtë kufijve të saj demokratikë – të diktojnë se çfarë është paqja.

“Ukraina nuk është agresore. Ajo nuk e ka nisur këtë luftë që derdh gjak çdo ditë në portat e kontinentit tonë. Nuk duhet të lejojmë askënd jashtë kufijve të Europës demokratike të na japë leksione për paqen,” – u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Konferenca në Romë mblodhi liderë dhe përfaqësues të lartë nga e gjithë bota, në një përpjekje të koordinuar për të diskutuar dhe përshpejtuar rimëkëmbjen e Ukrainës, duke sjellë edhe një herë në fokus nevojën për veprim konkret dhe solidaritet të vazhdueshëm.