Një zhvillim i papritur brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” ka ndezur alarmin për Adriatik Lapajn, që pret mandatin nga lista e hapur. Frika se mund ta humbasë ulësen në Kuvend ka detyruar aleatin e tij, Endri Shabani, të ndërhyjë urgjentisht në KQZ për të parandaluar një krizë të hapur politike.

Gjithçka nisi pasi Zeqir Kordhoni, kandidat i listës së mbyllur, i është drejtuar zyrtarisht KQZ-së duke kërkuar verifikimin e firmës së dorëheqjes së tij të 11 majit, me pretendimin se nuk e mban mend nëse ka nënshkruar. Një kërkesë që ka vënë seriozisht në diskutim skemën mbi të cilën u ndërtua fushata e koalicionit dhe që kërcënon drejtpërdrejt mandatin e Lapajt.

I vetëdijshëm për rrezikun që përfaqëson kjo lëvizje, Endri Shabani ka depozituar një kërkesë formale pranë KQZ-së, ku kërkon që:

Të njoh zyrtarisht dorëheqjet e 46 kandidatëve të listës së mbyllur, të dorëzuara më 11 maj;

Të shpërndahen menjëherë mandatet sipas vullnetit të qytetarëve, duke i dhënë mandatin fituesit të listës së hapur, pra Adriatik Lapajt;

Të mos lejohet asnjë lojë politike apo vonesë që rrezikon të deformojë rezultatin e zgjedhjeve.

Në letrën zyrtare drejtuar kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, Shabani thekson se vonesat kanë krijuar hapësira për manovra politike dhe paralajmëron se çdo devijim nga praktika e mëparshme e njohjes së dorëheqjeve do të cënojë besimin publik dhe do të konsiderohet si ndërhyrje selektive.

Nga ana tjetër, Adriatik Lapaj ka dalë në media për të mohuar krisjen me Shabanin, por nuk e fshehu tensionin. Ai konfirmoi se kandidati që kërkoi verifikimin e firmës është i aleatit të tij dhe jo i listës që ai drejton.

Por realiteti është i qartë: nëse edhe njëri nga kandidatët e listës së mbyllur tërhiqet nga dorëheqja, mandati mund të shkojë për “djegie” të votave dhe Lapaj të mbetet jashtë Kuvendit. Një skenar që e ka detyruar Shabanin të vihet në lëvizje të menjëhershme për të fikur zjarrin që po përvëlon koalicionin.

Në fund të ditës, beteja e listave të hapura po përplaset me realitetin e procedurave dhe emrave që kërkojnë të kujtojnë çfarë kanë firmosur. Dhe për Adriatik Lapajn, këto nuk janë më vetëm parime por beteja për mbijetesën politike.