Të vetmin mandate të fituar në Tiranë që mund t’i siguronte karrigen e Parlamentit, Adriatik Lapaj rrezikon ta humbas.

Ndryshe nga ç’ka u zotuan në fillim drejtuesit, duket se kandidati Zeqir Kordhoni që ishte në listën e mbyllur të Tiranës si përfaqësues i “Nismës Thurje”, ka ndryshuar qëndrim pasi ka depozituar në KQZ kërkesën për t’u njohur me letrën e dorëheqjes që koalicioni ka dorëzuar në emër të tij para zgjedhjeve të 11 majit.

Për mediat, Kordhoni deklaroi se është drejtuar KQZ për të verifikuar se çfarë ka firmosur pasi nuk e kujton me saktësi të ketë hedhur firmën mbi një dokument që të lërë mandatit e fituar në zgjedhje.

I vendosur, Kordhoni deklaroi se pasi të njihet me dokumentacionin e dorëzuar në KQZ do të bisedoi me dy drejtuesit e koalicionit Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, por duke rikonfirmuar se përpara zgjedhjeve nuk kishte qenë dakord që të jepte dorëheqjen nga mandati në rast fitoreje.

Deri në këtë çast nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Adriatik Lapaj apo Endri Shabani i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet.

Zeqir Kordhoni rezulton të jetë një figurë e panjohur për publikun, por një familjar i afërt i Endri Shabanit, konkretisht daja i tij.

Kur firmosën koalicionin parazgjedhor, “Shqipëria Bëhet” dhe Nisma Thurje u zotuan se kandidatët e listave të mbyllura do të dorëhiqeshin për t’u hapur rrugën që mandatin e deputetit ta merrnin më të votuarit e listave të hapura, duket se ky akord mund të mos zbatohet.