Aksioni i paralajmëruar për lirimin e hapësirave publike nga Partia Socialiste ka nisur me një ndërhyrje të fortë në zemër të kryeqytetit. Deputeti i PS për Tiranën, Erion Braçe, ka denoncuar publikisht një rast të parkimi pa leje në hapësirën mes pallateve pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, ku ndërhyrja nuk vonoi!
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe shprehet me tone të qarta se ligji është kthyer dhe IMT po vepron pa kompromis:
“HAPËSIRA MES PALLATEVE TEK SHKOLLA PETRO NINI LUARASI, PO RIKTHEHET;
JA QË LIGJI E RREGULLI VENDOSEN, IMT PO BËN DETYRËN!”
Në vendin ku dikur fëmijët luanin dhe banorët kalonin lirshëm, tashmë ishte ngritur një parkim pa leje që bllokonte qasjen dhe shfrytëzimin publik të hapësirës. Me ndërhyrjen e menjëhershme të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), zona është liruar dhe po i rikthehet komunitetit.
Ky është vetëm fillimi – paralajmërojnë burime nga PS – teksa aksioni për kthimin e hapësirave publike pritet të vijojë edhe në zona të tjera problematike në Tiranë dhe më gjerë.