Merkatoja e verës mund të marrë një kthesë surprizuese për Liverpoolin, teksa sulmuesi suedez Alexander Isak ka kërkuar zyrtarisht largimin nga Newcastle United.
Lajmi ka tronditur ambientin bardhezi, pasi lojtari konsiderohet si një nga sulmuesit më të kompletuar dhe më të vlerësuar në Premier League. Sipas mediave britanike, Isak ka kërkuar nga drejtuesit e Newcastle që t’i lejojnë të eksplorojë mundësi të tjera këtë verë, duke sinjalizuar qartë dëshirën për një hap të ri në karrierë.
Ai është lënë jashtë turneut parasezonal të ekipit, dhe megjithëse klubi pretendon se kjo lidhet me një dëmtim të vogël, burime të afërta me lojtarin flasin për tension në prapaskenë dhe një dëshirë reale për ndryshim ambienti.
Liverpool, edhe pse ka bërë disa lëvizje të bujshme në merkato këtë verë, shihet si një nga klubet më të interesuara për shërbimet e sulmuesit 24-vjeçar. Arne Slot është në kërkim të një alternative cilësore në vijën e sulmit dhe profili i Isak përputhet me kërkesat e trajnerit gjerman: teknik, i shpejtë, i gjatë dhe me ndjesi të shkëlqyer para porte.
Interes për suedezin thuhet se ka shfaqur edhe Al Hilal, por vetë lojtari duket i prirur të qëndrojë në Europë dhe të luajë në nivelet më të larta konkurruese.
Isak realizoi 21 gola në të gjitha kompeticionet sezonin e kaluar dhe ishte një nga elementët kyç në ecurinë pozitive të Newcastle në Premier League.
Nëse do të largohet, ai pritet të kushtojë mbi 80 milionë euro – një shifër që nuk do ta pengonte Liverpoolin, nëse e shikon si pjesë kyçe të rinovimit të fazës sulmuese për sezonin e ri.