Armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, i vendosur me ndërmjetësimin e SHBA-së, mund t’i ketë dhënë fund bombardimeve mes dy vendeve, por jo edhe rrezikut të sulmeve kibernetike nga Republika Islamike.
Ekspertë të shërbimeve sekrete amerikane japin alarmin për këto të fundit. FBI dhe shërbimi i fshehtë NSA njoftuan së fundmi se pushimzjarri nuk e ka shmangur kërcënimin nga sulmet kibernetike. Grupet e hakerëve që mbështesin Teheranin mund të vazhdojnë të përpiqen të prishin ose të paralizojnë infrastrukturën kritike, si p.sh. rrjetin e furnizimit me energji elektrike, shërbimet e transportit ose ekonominë, pohojnë dy agjencitë e njohura. Edhe sipërmarrjet e prodhimit të armatimeve dhe pajisjeve për mbrojtje, si dhe kompani të tjera amerikane që kanë lidhje me Izraelin, mund të jenë gjithashtu ende në shënjestër.
Njoftimi i shërbimeve sekrete të SHBA-së përmban edhe rekomandime për forcimin e mbrojtjes digjitale, si p.sh. instalimin e rregullt të përditësimeve të softuerëve dhe përdorimin e sistemeve të sigurta për menaxhimin e fjalëkalimeve.
Pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, hakerët sulmuan bankat amerikane, kompanitë e prodhimit të armatimeve dhe pajisjeve për mbrojtje, si dhe sipërmarrje të energjisë, por nuk shkaktuan probleme dhe dëme të mëdha.
Në vitin 2022, Shqipëria u përball me sulme të tilla nga Irani, të cilat u cilësuan nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë si një goditje e organizuar dhe e pashembullt për nga përmasat dhe fuqia e veprimit.
Vendi ynë mori asokohe ndihmë të menjëhershme nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa siguria kibernetike u vendos atëherë nga qeveria në fokus kryesor. Ndihmë ofruan gjithashtu vende anëtare të NATO-s, BE-së, OSBE-së, Izraelit dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.