Do të mbetet ndoshta më i madhi i të gjitha kohëve për klasin dhe universalitetin.
Lionel Messi është ende në garë me një Pele apo Maradona për të hyrë në histori si numri 1 i futbollit botëror, diçka që nuk nënkupton vetëm gola, por gjithsesi edhe në këtë element ai është i jashtëzakonshëm.
Me dy rrjetat e shënuara në ndeshjen e radhës së Ligës Profesioniste të futbollit amerikan, kampioni i botës arriti në 764 goditje të sakta nga loja, pra duke përjashtuar penalltitë.

Ky është rekordi botëror i momentit, pasi i mbiquajturi “Pleshti” ka një më shumë sesa Kristiano Ronaldo që është ndalur në 763. Jo vetëm kaq, por argjentinasi ia ka dalë në 167 ndeshje më pak sesa CR7. Falë kontributit të Mesit, ekipi i tij, Inter i Majemit fitoi 5-1 në fushën e ekipit nga Nju Jorku, Red Bull.

Leo pati dy rrjeta e dy asistë, ndërsa Segovia shënoi dy të tjera. Forma e tij është tepër e madhe këto kohë pasi ka gjashtë dygolësha në 7 ndeshjet e fundit.

Në të gjithë karrierën, magjistari i futbollit ka realizuar 872 gola, 66 më pak sesa Ronaldo, por duke luajtur plot 168 ndeshje më pak, e duke pasur mesatare më të mirë golash për ndeshje, apo minutash për ndeshje. Po ashtu, Mesi ka 385 asiste, ndërsa Kristiano ka arritur deri në 257.