Nga Hermes Kafexhiu
Ka ndodhur ajo që ishte thjesht çështje kohe, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, ish-presidenti dhe ish-kryetarja e LSI-së, sot të zhytur kokë e këmbë në hetime për pasuri dhe korrupsion, janë kthyer në gladiatorë politikë që vrasin njëri-tjetrin në pistën e rrënojave morale që kanë ndërtuar bashkë.
Për vite të tëra kanë jetuar si “çifti i artë” i politikës shqiptare ajo në parlament, ai në Presidencë, të dy në qendër të aferave të mëdha të pazareve, lobimeve dhe hesapeve që kanë degraduar sistemin. Sot, kur SPAK u troket derën për kartat e kreditit, faturat në Paris dhe lobimet në SHBA, nuk kanë më as moralin, as dinjitetin për të heshtur. Tani kanë nisur të përplasen publikisht, të zihen si fëmijë përpara SPAK-ut, dhe të vetmin që nuk duan të mbrojnë është publiku shqiptar që i ka duruar për kaq gjatë.
Po, Monika Kryemadhi, e akuzuar për kartat e kreditit që kanë shpërthyer shpenzime në butikët më të shtrenjtë të Europës, tashmë thotë se Meta është “i keqinformuar”, se ai “flet me gojën e Altin Dumanit” dhe se gjithçka është një keqkuptim. E për më tepër, kujdes, nuk ka nevojë të marrë leje nga “fani i Zeqinesë” për të udhëtuar në SHBA! Një mënyrë e re për të thënë, “Unë s’kam hallin e drejtësisë, hallin e kam me burrin tim të vjetër!”
Nga ana tjetër, Ilir Meta, tashmë në rolin e viktimës së përhershme, i kthehet me një deklaratë që është një përzierje klithmash, viktimizimi dhe fyerjesh. E quan Monikën “Zeqineja e SPAK-ut”, harron që i ka kërkuar fëmijëve të mos e përmendin më në publik dhe pastaj e bën copë. Dhe si gjithmonë, gjen një konspiracion që dikush tjetër e po kurdis gjithë këtë, ndërsa ai vetë është “pafajësia e mishëruar”.
Këta dy njerëz nuk janë vetëm në hall me drejtësinë. Janë në hall me veten, me jetën politike që vetë ndërtuan dhe sot e shkatërrojnë. Janë shembulli i qartë pse publiku shqiptar është lodhur, është neveritur dhe është larguar nga politika. Janë modeli më i keq i dyshes që kërkon të na bëjë për budallenj, edhe në fundin e tyre politik.
Ndërsa përplasen me epitete si “fani i Zeqinesë” dhe “fani i garderobës”, një popull i tërë është i detyruar të ndjekë telenovelën më të shëmtuar të tranzicionit shqiptar, Iliri dhe Monika të dashuruarit e pushtetit, që tani e urrejnë njëri-tjetrin, por më shumë sesa njëri-tjetrin, urrehen nga publiku që i ka duruar gjatë.
Sot nuk jemi më përballë një divorci sentimental. Jemi përballë një divorci me publikun, me politikën e ndershme, me çfarëdo shprese që kishte mbetur se ky vend mund të shkëputet nga njerëz që për vite kanë jetuar mbi ligjin.
Po, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po na provojnë çdo ditë pse publiku i ka parë si të urryer me vite. Dhe nëse kjo histori ka ndonjë të mirë, është vetëm një, ata po e bëjnë vetë shkatërrimin e tyre më të madh sesa çdo hetim i SPAK-ut. Dhe këtë, publiku duhet ta lexojë si dritë jeshile për t’i lënë pas, përfundimisht.