Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se pezullimi i aplikimeve për azil nga njerëzit që vijnë nga Afrika e Veriut, i cili do të vendoset sot nga deputetët, ishte absolutisht i nevojshëm përballë rritjes së flukseve të migrantëve.

“Ne kemi marrë vendimin e vështirë, por absolutisht të nevojshëm, për të pezulluar përkohësisht procesin e aplikimit për azil”, deklaroi ai në të përditshmen gjermane “Bild”.

Ky vendim, i njoftuar të mërkurën, shpjegohet me “rritjen e papritur të mbërritjeve të parregullta nga deti nga Afrika e Veriut”, të cilën Ministria greke e Migracionit e përshkroi si një “pushtim”.

Parlamenti pritet të miratojë një amendament që do të pezullonte përpunimin e aplikimeve për azil për tre muaj, veçanërisht për ata që mbërrijnë në ishullin jugor të Kretës nga Libia. Rreth 8 000 persona kanë mbërritur në Kretë që nga fillimi i vitit, sipas ministrit të Migracionit Thanos Plevris, krahasuar me rreth 4 000 për të gjithë vitin 2024.

Në të gjithë Greqinë, më shumë se 14 000 azilkërkues kanë hyrë që nga janari.
Këto mbërritje janë përshpejtuar më tej që nga qershori, në më shumë se 2 500, deri në atë pikë sa autoritetet lokale kanë dhënë alarmin, duke pretenduar se u mungojnë mjediset e duhura të pritjes.

Të , më shumë se 500 migrantë të kapur në brigjet e Kretës u çuan në Lavrion, një port pranë Athinës. Thanos Plevris, një ish-anëtar i një partie të ekstremit të djathtë, tashmë të shpërbërë, deklaroi se Greqia “nuk ishte hotel” për azilkërkuesit.

“Mesazhi që po dërgojmë është i qartë, qëndroni aty ku jeni. Nuk jeni të mirëpritur këtu”, u përsëriti ai emigrantëve.

Udhëheqësi i një partie të majtë radikale, e konsideroi këtë amendament një “turp dhe një çnderim që do t’ju ndjekë (qeverinë Mitsotakis) në histori”. Zoe Konstantopoulou akuzoi qeverinë greke se “po e vendos racizmin përsëri në qendër të politikës”.