Prokuroria e Posaçme ka marrë sot në pyetje si person nën hetim kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkrelin.

Kryebashkiaku socialist është marrë në pyetje për rreth një orë nga prokurori Dritan Prençi për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Shkreli, i zgjedhur nën siglën e PS-së, dyshohet për blerje votash gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në favor të Partisë Social-Demokrate të Tom Doshit.

Tre ditë pas zgjedhjeve, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka sekuestruar celularin e Kristian Shkreli.

Disa ditë para zgjedhjeve të 11 majit u raportua se kryebashkiaku socialist kishte thyer besimin e kryeministrit Edi Rama, duke mbledhur vota për PSD-në e Tom Doshit. Në një takim gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri Edi Rama iu drejtua Shkrelit me fjalët: Kristian mos më luaj me dy porta Kristian! Mos më luaj me dy porta!