Inxhinierja shqiptaro-amerikane dhe ish-drejtoresha e teknologjisë së OpenAI, Mira Murati, ka refuzuar një ofertë marramendëse prej 1 miliardë dollarësh nga kompania Meta, e drejtuar nga Mark Zuckerberg. Oferta kishte për qëllim të tërhiqte atë dhe ekipin e saj drejt projektit të ri të inteligjencës artificiale të kompanisë Meta, të quajtur Superintelligence Lab.

Pas largimit të saj nga OpenAI në fund të vitit 2024, Murati themeloi kompaninë Thinking Machines Lab, e cila tashmë është vlerësuar me mbi 12 miliardë dollarë, ndonëse ende nuk ka lançuar një produkt për publikun. Në vetëm pak muaj, kompania e saj ka tërhequr vëmendjen e investitorëve dhe aktorëve të mëdhenj të teknologjisë, përfshirë edhe vetë kompaninë gjigande Meta të Mark Zuckerberg.

Sipas raportimeve nga mediat prestigjioze ndërkombëtare, Meta ka ofruar shuma që variojnë nga 200 milionë deri në 1 miliardë dollarë, për të rekrutuar anëtarë të ekipit të Muratit. Megjithatë, asnjë person nga ekipi nuk ka pranuar ofertën, sipas vetë Muratit: “Deri tani, asnjë anëtar i ekipit nuk ka pranuar ofertën,”, është shprehur ajo në një intervistë të fundit.

Vendimi për refuzimin e ofertës është interpretuar si një sinjal i qartë se ekipi i Muratit është i përkushtuar ndaj një vizioni të pavarur për zhvillimin etik dhe të kontrolluar të inteligjencës artificiale larg ndikimit të gjigantëve teknologjikë që shpesh vihen në qendër të kritikave për qasje monopoliste dhe mungesë transparence.

Analistët e teknologjisë e kanë cilësuar këtë refuzim si një nga momentet më domethënëse në konkurrencën globale lidhur me zhvillimet teknologjike sa i përket inteligjencës Artificiale. Mediat ndërkombëtare kanë vlerësuar qëndrimin e Mira Muratit e cila ka zgjedhur të qëndrojë e pavarur në projektin e saj, pas një revolucioni që shqiptarja bëri si Shefe e teknologjisë në Open AI.