Netflix ka përdorur për herë të parë inteligjencën artificiale gjenerative në një prej serialeve të saj, një hap që sipas bashkëdrejtuesit të kompanisë, Ted Sarandos, do të ndihmojë në uljen e kostove të prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së përmbajtjes.
Seriali argjentinas i zhanrit fantastiko-shkencor El Eternauta është prodhimi i parë i Netflix që përfshin pamje të krijuara përmes AI-së. Seriali ndjek historinë e disa të mbijetuarve pas një reshjeje toksike dhe vdekjeprurëse dëbore në Buenos Aires.
“Ne jemi të bindur se AI përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për t’i ndihmuar krijuesit të bëjnë filma dhe seriale më të mirë, jo vetëm më të lirë,” tha Sarandos për analistët pas publikimit të rezultateve të tremujorit të dytë sipas The Guardian.
Ai tregoi se në një skenë ku një ndërtesë shembet në Buenos Aires, Netflix dhe artistët e efekteve vizuale (VFX) përdorën mjete me AI për ta realizuar atë pamje. “Rezultati u arrit 10 herë më shpejt sesa do të ishte e mundur me metodat tradicionale të efekteve vizuale,” shtoi ai.
Ky efikasitet teknologjik ka bërë të mundur që prodhimi të realizohej me një buxhet dukshëm më të ulët sesa pritej për një projekt të tillë.
“Në mungesë të këtyre mjeteve të fuqizuara nga AI, kostoja e efekteve speciale do ta kishte bërë të pamundur realizimin e këtij seriali brenda atij buxheti,” tha Sarandos.
Megjithatë, përdorimi në rritje i AI në industrinë e argëtimit ka shkaktuar shqetësime për humbje të mundshme vendesh pune, sidomos në sektorët e prodhimit dhe efekteve speciale. Në vitin 2023, inteligjenca artificiale ishte një nga pikat kryesore të konfliktit gjatë grevave të aktorëve dhe skenaristëve në Hollywood, të cilët kërkuan garantimin e kontrollit të punonjësve mbi teknologjinë, në vend që ajo t’i zëvendësonte ata.
Sarandos u përpoq të shuante këto frikëra, duke theksuar: “Janë njerëz të vërtetë që bëjnë punë të vërtetë, por me mjete më të mira. Krijuesit tanë tashmë po shohin përfitimet në fazat e planifikimit vizual dhe xhirimeve, dhe sidomos në efektet vizuale. Këto mjete po e zgjerojnë potencialin e tregimit vizual në ekran, dhe kjo është jashtëzakonisht emocionuese.”
Deklaratat e tij erdhën pas një tremujori të suksesshëm financiar për Netflix, i cili raportoi të ardhura prej 11 miliardë dollarësh për periudhën deri në fund të qershorit, një rritje prej 16% krahasuar me një vit më parë. Kompania tha se performanca e lartë u ndikua ndjeshëm nga suksesi i sezonit të tretë dhe të fundit të thriller-it koreanojugor Squid Game.
Gjithashtu, Netflix pret që biznesi i tij i reklamave aktualisht i vogël, por me rritje të shpejtë, të dyfishohet gjatë këtij viti.
“Ky tremujor mbi pritshmëritë është rezultat i përmbajtjes cilësore, rritjes së çmimeve dhe rritjes së të ardhurave nga reklamat,” tha Mike Proulx, nënkryetar i kompanisë hulumtuese Forrester. “Edhe pse ka ende punë për të përmirësuar platformën e reklamave, pjesa më e vështirë tashmë ka kaluar me implementimin e plotë të teknologjisë së re të reklamimit nga vetë Netflix.”